Fabio Capello: Të mos biem në gjumë, Spanja luan futboll të ngadaltë

Futboll

Fabio Capello: Të mos biem në gjumë, Spanja luan futboll të ngadaltë

Më: 5 korrik 2021 Në ora: 17:17
Fabio Capello

Fabio Capello ka analizuar gjysmëfinalen e “Euro 2020”, Spanjë-Itali, që do të luhet nesër nga ora 21:00. Trajneri italian ka dhënë disa intervista, një për “La Vanguardia” dhe një tjetër për “Corriere della Sera”, në të cilat bën prognozën e ndeshjes vendimtare. Po ashtu, analizon momentin në të cilin mbërrin secila prej kombëtareve.

“Italia është një ekip që po zhvillon futboll shumë të shpejtë, me cilësi të mirë. Gjithkush vrapon, të gjithë ndihmojnë, kanë një qasje të mirë taktike, – thotë “Don Fabio” për gazetën katalanase, ku nënvizon mungesën e Spinazzola, një lojtar i spikatur nën urdhërat e Mancinit. – Është për të ardhur keq, sepse ai është një futbollist që mund ta thyente mbrojtjen e Spanjës, siç ka bërë në ndeshjet e tjera”.

Përveç kësaj, në “Corriere della Sera”, ai paralajmëron axurrët për lojën e Spanjës: “Ne nuk duhet të biem në gjumë. Spanja luan futboll të ngadaltë, nëse përshtatemi me atë ritëm rrezikojmë të vuajmë. Spanja ka cilësi të mëdha teknike, posedim të shkëlqyer të topit. Për ta kundërshtuar këtë, ne kemi nevojë për shpejtësi dhe qartësi, kur bëhet fjalë për rikuperimin e topit. Ne kemi cilësi, mbrojtja spanjolle nuk është aspak e pamposhtur”.

Nga ata të Luis Enrique, Capello thekson një lojtar mbi të tjerët. “Unë e dua Pedri, kurrë nuk kam parë një lojtar 18-vjeçar me personalitet dhe cilësi të tilla si ai. Pedri ka një vetëbesim mbresëlënës. Përveç kësaj, ai punon shumë, vrapon, mbron, sulmon. Thjesht është i pabesueshëm. Më ka dhënë të njëjtin impakt si herën e parë që pashë Messin duke luajtur drejtpërdrejt. Menjëherë thashë se është një fenomen, e dua fort atë. Epo, le të themi që Pedri, si mesfushor, mund të jetë i njëjti, një nga më të mirët në botë, sepse ka gjithçka”.

Dhe së fundi, në gazetën katalanase i referohet aventurës së re, që bashkatdhetari i tij, Ancelotti, ndërmerr te Real Madridi: “Ai ka një detyrë të madhe prandaj, mendoj se për kohën aktuale te Real Madridi, Florentino Perez ka zgjedhur njeriun e duhur”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat