​Fillojnë punimet për ndërrimin e barit në stadiumin “Air Albania”

Futboll

​Fillojnë punimet për ndërrimin e barit në stadiumin “Air Albania”

Më: 10 korrik 2021 Në ora: 13:51
“Air Albania”

Dje kanë filluar punimet për largimin e barit të vjetër në fushën e stadiumit “Air Albania” të Shqipërisë, ku do të zëvendësohet me bari të ri, dhe çdo gjë pritet të jetë e gatshme me fillim të muajit shtator.

Në muajin shtator, Kombëtarja e Shqipërisë do të rifillojë fazën e ndeshjeve eliminatore për Kupën e Botës “Katar 2022”, ku do të përballet me Hungarinë dhe San Marinon, përcjell KosovaPress.

Procesi i zhvendosjes së barit të vjetër nga fusha zgjat nga shtatë deri në nëntë ditë, dhe shtresa e re që do të vendoset do të jetë bar hibrid dhe bar natyral.

Administratori i stadiumit “Air Albania” Kejdi Tomorri tregoi kohëzgjatjen e procesit të ndërrimit të barit dhe se me barin e ri, do të ketë mundësi për zhvillimin e më shumë ndeshjeve dhe aktiviteteve të tjera sportive.

“Normalisht është një proces që kërkon dy muaj kohë, por ne jemi duke i afruar proceset me njëra-tjetrën dhe besoj se në datën 5 shtator për ndeshjen e parë që Shqipëria do të luajë këtu ndaj Hungarisë, fusha do të jetë gati dhe në gjendje optimale”, tha Tomorri.

“Përzgjedhja e tapetit hibrid është bërë me këtë qëllim, që të mbajë ngarkesë më të madhe dhe mund të përdoret edhe për koncerte apo spektakle që mund të mbahen në fushë”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat