Partizani drejt kualifikimit

Futboll

Partizani drejt kualifikimit

Më: 14 korrik 2021 Në ora: 16:45
Partizani drejt kualifikimit

Partizani është skuadra e vetme shqiptare, për momentin në Europë, që është më pranë kualifikimit në raundin tjetër të “Conference Leagues”. Demat e fituan bindshëm me rezultatin 5-2 ndeshjen e parë kundër Sfintul George. Takimi i zhvilluar në “Elbasan Arena” u dominua nga të kuqtë që të udhëhequr nga Stenio Junior e gjunjëzuan skuadrën moldave.

Takimi i kthimit, këtë të enjte, duket në pamje të parë thjesht si një formalitet, por në futboll nuk duhet të nënvlerësosh askënd dhe duhet të mos përgjumesh asnjë rast.

Të kuqtë, për të siguruar fazën tjetër të kompeticionit, mund t’i lejojnë vetes edhe një humbje në stadiumin e Orheit, madje edhe një humbje me dy gola diferencë, por nuk duhet që demat të rrezikojnë kur kanë kryer pjesën më të madhe të punës për të qenë në raundin e dytë të Ligës së Konferencës.

Trajneri Ilir Daja, i cili ka shkruar historinë me Skënderbeun në vitin 2017, duke u bërë trajneri i parë shqiptar që kalon 4 ture në Europa League, i ka marrë masat për të shmangur çdo suprizë të pakëndshme dhe në Moldavi pritet të aktivizojë më të mirët e mundshëm. Musta mungon për shkak dëmtimi me Koten që do të luajë titullar, ndërsa Marku ka mundësi të vendoset në të majtë të mbrojtjes. Rezultati 5-2 është një garanci, por duhet edhe një sforco e fundit e më pas demat do të zbresin në “St.Jacobs Park”, për të sfiduar Baselin e Xhakës e Zhegrovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat