Vllaznia dhe Laçi do të synojnë përmbysjet

Futboll

Vllaznia dhe Laçi do të synojnë përmbysjet

Më: 15 korrik 2021 Në ora: 11:06
Vllaznia dhe Laçi do të synojnë përmbysjet

Vllaznia mund të realizojë mrekullinë, ose më mirë Vllaznia mund të realizojë mrekullinë ndaj Siroki Brijeg nëse nuk ka një gjyqtar si ai i ndeshjes së parë në Bosnje.

Kuqeblutë u mposhtën 3-1 një javë më parë në stadiumin “Pecara”, por rezultati është ië gënjeshtërt sepse ai takim u vendos nga gjykimi skandaloz i arbitrit rus Aleksey Matyunin. 39-vjeçari që nuk është pa përvojë sepse ka gjykuar 94 ndeshje në Premier Ligën ruse dhe është gjyqtari ndërkombëtar që nga 2017-ta, ofroi një “show” të shëmtuar duke i dhuruar dy penallti absurde boshnjakëve dhe ndëshkoi me 12 kartona të verdhë e dy të kuqe Vllazninë, një për Krymin e një për trajnerin Brdaric.

Gjithsesi se çfarë ndodhi në Siroki Brijeg i përket së shkuarës, shkodranët do të synojnë të realizojnë të paktën dy gola më shumë se kundërshtari për ta dërguar në shtesë. Finalizimi i Çobës i ka dhënë shpresë fituesve të Kupës së Shqipërisë. Në orën 21:00 të kësaj të enjtjeje në “Loro Borici”, Vllaznia do të ketë në krah edhe 5000 tifozë për të tentuar përmbysjen e madhe dhe për të siguruar kalimin në raundin e dytë të “Conference League”, pa diskutim që do të jetë e vështirë, por futbolli ka pranuar edhe përmbysje më të mëdha, për më tepër që në ndeshjen e parë diferenca nuk kishte dhe i vetmi që bëri diferencën ishte gjyqtari Matyunin. Këtë sfidë do të keni mundësinë ta përjetoni në Supersport.  Nëse shkodranët i’a dalin do të kenë si kundërshtar të rradhës qipriotët e Ael Limassol.

Misioni kualifikim nuk është aspak i pamundur për Laçin. Bardhezinjtë do të synojnë kalimin në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës duke kërkuar përmbysjen ndaj Podgoricës. Sfida e parë në Mal të Zi përfundoi 1-0 në favor të vendasve, teksa kurbinasit shpërdoruan një penallti me Mazrekajn në sekondën e fundit të ndeshjes.

Trajneri Shpëtim Duro ka të gatshëm Ardit Deliun i cili nuk luajti në ndeshjen e parë sepse ishte i pezulluar, ne një kohë që mund të ketë hapësira për Guindo i cili e nisi nga stoli takimin e zhvilluar në “DG Arena”.

Nuk do të jetë e thjeshtë për bardhezinjtë, megjithatë paraqitja e ofruar në Podgoricë edhe pse nuk solli një rezultat pozitiv ka krijuar optimizëm në kampion kurbinas. Kundërshtari nuk është i frikshëm, dhe Laçi ka mundësinë që me pak kujdes dhe pse jo edhe me pak fat të shkojë në fazën tjetër.

Sfida mes Laçit dhe Podgoricës do të zhvillohet këtë të enjte në “Elbasan Arena” në orën 20:00 dhe do të transmetohet live në Digitalb Supersport. Nëse bardhezinjtë kalojnë këtë raund atëherë do të gjejnë përballë rumunët e Universitateas së Craiovës.

Partizani është skuadra e vetme shqiptare, për momentin në Europë, që është më pranë kualifikimit në raundin tjetër të “Conference Leagues”. Demat e fituan bindshëm me rezultatin 5-2 ndeshjen e parë kundër Sfintul George. Takimi i zhvilluar në “Elbasan Arena” u dominua nga të kuqtë që të udhëhequr nga Stenio Junior e gjunjëzuan skuadrën moldave. Takimi i kthimit, këtë të enjte, duket në pamje të parë thjesht si një formalitet, por në futboll nuk duhet të nënvlerësosh askënd dhe duhet të mos përgjumesh asnjë rast.

Të kuqtë, për të siguruar fazën tjetër të kompeticionit, mund t’i lejojnë vetes edhe një humbje në stadiumin e Orheit, madje edhe një humbje me dy gola diferencë, por nuk duhet që demat të rrezikojnë kur kanë kryer pjesën më të madhe të punës për të qenë në raundin e dytë të Ligës së Konferencës.

Trajneri Ilir Daja, i cili ka shkruar historinë me Skënderbeun në vitin 2017, duke u bërë trajneri i parë shqiptar që kalon 4 ture në Europa League, i ka marrë masat për të shmangur çdo suprizë të pakëndshme dhe në Moldavi pritet të aktivizojë më të mirët e mundshëm. Musta mungon për shkak dëmtimi me Koten që do të luajë titullar, ndërsa Marku ka mundësi të vendoset në të majtë të mbrojtjes. Rezultati 5-2 është një garanci, por duhet edhe një sforco e fundit e më pas demat do të zbresin në “St.Jacobs Park”, për të sfiduar Baselin e Xhakës e Zhegrovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat