Paguan 50 milionë paundë për mbrojtësin e Anglisë

Futboll

Paguan 50 milionë paundë për mbrojtësin e Anglisë

Më: 17 korrik 2021 Në ora: 12:46
Paguan 50 milionë paundë për mbrojtësin e Anglisë

Pas një sezoni nën nivelin e pritshmërive, ku nuk arriti të sigurojë as një vend në kupat e Europës, Arsenali po bën një fushatë të bujshme merkatoje, për të rritur cilësinë e ekipit dhe për t’u rikthyer të garojë në nivele të larta në kampionatin anglez.

Kështu mbrojtja ka qenë një nga pikat e dobëta të formacionit të Mikel Artetës dhe për këtë arsye drejtuesit e klubit londinez kanë vendosur të shpenzojnë plot 50 milionë paund për të sjellë në “Emirates Stadium” 23-vjeçarin Benjamin William White.

I njohur ndryshe si Ben White, qendër-mbrojtësi është rritur në akademinë e Brightonit dhe në sezonin 2019-2020 luajti në huazim te Leeds United, ku u rrit ndjeshëm nën urdhrat e Marselo Bielsës dhe ishte një ndër protagonistët e rikthimit të skuadrës në Premier League.

Shtatorin e kaluar White u rikthyer sërish te Brighton dhe rinovoi kontratën deri në verën e 2024-ës, ndërsa gjatë sezonit që sapo u mbyll luajti titullar në 36 ndeshje, duke u shpallur edhe futbollisti më i mirë i sezonit në skuadrën e drejtuar nga Graham Potter.

Paraqitjet e mira të White nuk kaluan pa rënë në sy as të trajnerit Gareth Southgate, që e grumbulloi futbollistin për të qenë pjesë e listës përfundimtare të 26 futbollistëve me të cilët “tre luanët” u përfaqësuan në Euro 2020.

Afrimi i White te Arsenali vjen në një moment kur “topçinjtë” kanë ndërprerë bashkëpunimin me mbrojtësin brazilian David Luiz dhe anglezi 23-vjeçar do të duhet të formojë dyshen para portës së Leno, bashkë me brazilianin tjetër Gabriel Magalhaes, i cili erdhi në Londër një vit më parë.

Ndërkohë po sa i përket repartit të mbrojtjes, londinezët siguruan pak ditë më parë edhe shërbimet e portugezit 21-vjeçar Nuno Tavares, për kartonin e të cilit paguan rreth 10 milionë euro në arkat e klubit të Benficës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat