Tifozët e Interit ngatërrojnë selinë

Futboll

Tifozët e Interit ngatërrojnë selinë

Më: 6 gusht 2021 Në ora: 11:58
Tifozët e Interit ngatërrojnë selinë

Protesta nën selinë e klubit për largimin e Romelu Lukakut është vetëm fillimi. Tifozët e Interit nuk e pranojnë situatën. Një ekip kampion ka nevojë për investime që të konfirmohet e jo të privohet nga copëzat e tij më të shtrenjta.

Nëse largimi i Hakimit ishte një sinjal për ridimensionimin, ai i mundshëm i Lukakut mundon një ambient të tërë. 130 milionë euro janë shumë, sidomos në kohë pandemie e krize ekonomike. Zikaltrit duan të mbajnë nën kontroll bilancet dhe sakrificat janë të domosdoshme. Sulmuesi belg nuk është larguar, por sinjalet çojnë në atë drejtim.

Kjo ka bërë që tifozët e grupimit “Curva Nord” të mblidheshin për të shpalosur banderolat e protestës nën selinë e klubit. Gjithçka në mënyrë të qytetëruar, pavarësisht se në fillim ishin ngatërruar duke u vendosur përballë një picerie. Dje ata i kanë dhënë ultimatum presidentit Zhang duke i treguar me banderola se “afati po mbaron”.

Në fakt, tifozët zikaltër janë mësuar me emocione të forta e nuk do të jetë largimi i një Lukaku që do t’i trondisë, por ka edhe nga ata që kërkojnë një ndihmë hyjnore. Emblematike fotografia e tifozit interesit me fanellën e Lukakut që lutet në kishë. Ironia është pjesë e momentit që po kalojnë kampionët zikaltër, megjithatë nuk mund të anashkalohet strategjia e klubit që deri më tani ka larguar dy më të mirët, të cilët u paraprinë nga trajneri Konte që vendosi të mos vazhdonte më aventurën tek Interi.

Edhe në faqen e “Sportmediaset”, sportdashësit janë të dyzuar me sondazhin për Lukakun që është mbyllur në barazi të plotë në lidhje me zgjedhjen e duhur ose jo të klubit për të shitur 28-vjeçarin, i cili ka qenë elementi më i rëndësishëm në rikthimin e zikaltërve te titulli pas 11 vitesh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat