Lille kërkon fitore ndaj Metz

Futboll

Lille kërkon fitore ndaj Metz

Më: 7 gusht 2021 Në ora: 13:54
Lille kërkon fitore ndaj Metz

Mbrojtja e titullit kampion në Francë për Lille nis në transfertën ndaj Metz, këtë të dielë në orën 17:00. Suksesi fantastik i arritur në maj në një kampionat shumë të rivalizuar që u vendos vetëm në javën e fundit ka sjellë shumë ndryshime te Lille që tashmë nuk drejtohen më nga trajneri Christophe Galtier i cili la kampionët e Francës për të marrë drejtimin e Nice, ndërkohë që nga skuadra janë larguar edhe disa elementë të spikatur të cilët janë shitur në klube të tjera. Portieri Mike Maignan u transferua te Milani, ndërkohë që te Leicester u shit për 20 milionë euro mesfushori Soumare ndërsa sëfundmi u largua edhe sulmuesi brazilian Luiz Araujo që kaloi në Mls te Atlanta.

Gjithsesi boshti i ekipit është ruajtur dhe trajneri e ri Jocelyn Gouvernecc do të ketë detyrën e vështirë për t’i marrë maksimumin një skuadre që sezonin e kaluar arriti majën.

Lille e nisi mirë sezonin e ri duke mposhtur Paris Saint Germain dhe duke fituar Superkupën e Francës.

Me emra si Yilmaz, Yazici, David, Ikone në repartin e avancuar, kampionët janë të favorizuar për të marrë tre pikët në sfidën debutuese ndaj Metz, skuadër të cilën sezonin e kaluar e mposhtën dy herë. Përveç duelit të orës 17:00 mes kampionëve në fuqi dhe Metz, në mbrëmje në orën 20:45 në ekranin e Supersport do të keni mundësi të ndiqni edhe duelin mes Montpellier dhe Marseille.

OM me një trajner si Jorge Sampaoli synon Championsin në këtë sezon të ri, sepse me një Paris Saint Germain që është shndërruar në një skuadër të frikshme me afrimet e verës, për titull vështirë se mund të flitet. Marseille ka blerë ish-mesfushorin e Romës Gerson për 25 milionë euro nga Flamengo ndërkohë që në ekip janë afruar edhe mesfushori Guendouzi dhe sulmuesi Cengiz Under me këtë të fundit që do të përpiqet të kompesojë disi largimin e Florian Thauvin te Tigres në Meksikë.

Me polakun Arkadiusz Milik që vazhdon të jetë i dëmtuar përballë Montpellier, Marseille nuk do ta ketë të thjeshtë edhe pse skuadra e Sampaolit do të tentojë me të gjitha mënyrat të marrë tre pikët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat