Samir Idrizi: FC Albania nga Zurichu është një familje e madhe sportive, ja objektivat tona

Futboll

Samir Idrizi: FC Albania nga Zurichu është një familje e madhe sportive, ja objektivat tona

Nga: Reshat Ibraimi Më: 7 gusht 2021 Në ora: 14:56
Trajneri Samir Idrizi: FC Albania nga Zurichu është një familje e madhe sportive, ja objektivat tona

I lindur në Miletinë të Tetovës, ndërsa i rritur dhe i shkolluar në Zvicër,  Samir Idrizi është një nga trajnerët ambicioz shqiptarë në mërgim.

Për News-TV, ai ka rrëfyer për karrierën e tij si lojtar dhe tashmë si trajner, ambiciet e klubit të tij FC Albania Zurich, që aktualisht garon në Ligën e 4 të Kantonit të Zurichut.

Kush është Samir Idrizi?

Samir Idrizi: Jam i lindur më 08.07.1986 në fshatin Miletinë të Tetovës, ku edhe kam përfunduar shkollën fillore. Me ushtrime fillova në shkollën e futbollit BESA, nën drejtimin e profesorit Nexhbedin Sinani. Në vitin 2001 u shpërngula në Zvicër, ku edhe kam mbaruar shkollimin e mesëm, njëkohësisht vazhdova të luaj futboll. Nga viti 2009-2019 kam luajtur edhe për FC Tetova Zürich, ku kam ushtruar edhe detyrën e trajnerit, poashtu kam qenë pjesë e grupit që themeluam klubin. Nga viti 2019 aktualisht jam i angazhuar si trajner në FC Albania Zürich. Njëkohësisht kam ndjekur trajnimet për ngritjen time profesionale, duke u pajisur me C+ Licencë dhe jam në vazhdim e sipër për marrjen e Uefa B-Licencës.

-FC Albania nga Zurich ua zgjati kontratën. Sa jeni të kënaqur?
Samir Idrizi: Duke patur parasysh nivelin e lartë të organizimit të klubit dhe synimet që ka, do të them se jam shum i kënaqur, mbase përputhen edhe me aspiratat që unë i kam.

-Në cilën ligë garon FC Albana nga Zurich?

Samir Idrizi: FC Albania Zürich garon në Ligën e 4 të Kantonit të Zurihhut.

-Sa ua ka prish planet pandemia?
Samir Idrizi: Pandemia për fat te keq ka ndikuar gjithandej në mbarëvajtjen dhe funksionimin normal të shoqërisë në gjithë botën dhe natyrshëm preku edhe aktivitetet sportive, të cilat u reduktuan thuajse në nivelet më të ulta, dhe fatmirësisht sikur u shfaq një dritë shprese në tunelin e pafund. Ngelemi me shpresë se kjo të mbetet një e kaluar e zymtë.

-Cilët janë objektivat e klubit?
Samir Idrizi: Sikur që thash edhe në fillim se FC Albania është një FAMILJE sportive e organizuar dhe udhëhiqet nga një staf shumë ambicioz, natyrisht që qëllimi ynë është ngjitja në kategorinë e tretë dhe shpresojmë që t’ia dalim.

-A pritni të përforcoheni gjatë afatit kalimtar?
Samir Idrizi: Edhe pse kemi një fond të duhur të lojtarëve, megjithatë nuk e mohojmë afrimin e ndonjë futbollisti cilësor për çka do të vendosin drejtuesit e klubit në konsultim me mua si trajner dhe stafin në përgjithësi.

-Sa është vështirë të organizohet një klub shqiptar në Zvicër?
Samir Idrizi: Edhe pse eshtë vështirë megjithatë klubet shqiptare vazhdojnë të shtohen në kampionatet e niveleve Amatore dhe kjo është meritë e afaristëve shqiptarë pa të cilët do të ishte e pamundur që të funksionojnë klubet.

-Si është bashkëpunimi me klubet tjera shqiptare në Zvicër?
Samir Idrizi:Fatmirësisht në Zvicër funksionon me shumë sukses Unioni i Klubeve Shqiptare të Futbollit dhe si rrjedhoje edhe bashkëpunimi në mes klubeve shqiptare është në nivel të lartë. Me këtë rast dëshiroj të theksoj relacionet shumë të afërta që i kemi vendosur me shumë klube shqiptare e në veçanti me FC Bashkimi 99 nga Flumsi.

-Sa e ndiqni futbollin në Maqedoninë e Veriut?

Samir Idrizi: Sigurisht që jam shumë i përkushtuar në zhvillimin e kampionatit në Maqedoninë e Veriut, aq më tepër nga vet fakti se klubet shqiptare si: KF Shkëndija, Shkupi, Struga Trim Lum dhe Renova kryesojnë bindshëm.

-Çfarë përshtypjesh ju ka lënë Euro 2020. A triumfoi kombëtarja më e mirë. Sa jeni të kënaqur me paraqitjen e kombëtares së Zvicrës?

Samir Idrizi: Në një atmosferë të zymtë që e krijoi pandemia, kampionati europian krijoi një atmosferë pozitive, sikur iu rikthye optimizmi tek njerëzit. U rikthye shpresa dhe kjo është ajo kryesorja që më ka bërë përshtypje. Si të gjithë shqiptarët gjithandej rruzullit tokësor edhe unë kam qenë i përkushtuar te rezultatet e kombëtares së Zvicrës, nga shkaku se aty kanë lënë gjurmë të veçanta 4 futbollistët shqiptarë. Paraqitja e tyre ishte briliante.

-Te FC Albania a janë lojtarët të gjithë shqiptarë, apo ka edhe të nacionaliteteve të tjera?

Samir Idrizi: Te FC Albania Zürich dominon numri i lojtarëve shqiptarë, por në grup kemi edhe një lojtar zvicerian, turk dhe serb.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat