Shtatori, muaji i emocioneve të mëdha kuqezi

Futboll

Shtatori, muaji i emocioneve të mëdha kuqezi

Më: 14 gusht 2021 Në ora: 11:20
Shtatori, muaji i emocioneve të mëdha kuqezi

Gushti për shumëkënd nënkupton pushime, ndërsa për futbollistët dhe futbollistet e Kombëtares ka nisur puna për edicionin e ardhshëm futbollistik, ku shumë prej tyre janë të përfshirë në ndeshje miqësore me klubet e tyre, në kompeticionet e organizuara nga UEFA, por në disa shtete, edhe kanë nisur kampionatet e sezonit 2021-2022.

E vetmja gjë që nuk diskutohet kurrë sa herë që flitet rreth dhe për futbollin, është mungesa e emocioneve. E sidomos në Shqipëri, ku numri i sportdashësve është i shumtë, të cilët ndjekin me kërshëri të madhe futbollin, sa herë që flitet për ekipet Kombëtare, por jo vetëm, pasi një interes të lartë ka edhe për kampionatet që organizohen në vendin tonë.

Shtatori është pa dyshim muaji i një oqeani me emocione. Është muaji i ekipeve Kombëtare, është muaji i të gjithë shqiptarëve. Në fakt, gjithmonë ka qenë. Dikush në stadium, dikush në shtëpi, dikush ulur në një kafe, dikush në një vend të qetë, të gjithë të ndarë, por me sytë dhe zemrën nga krenaria e të gjithëve: KOMBËTARJA. Ndoshta është ndër të paktat gjëra, për të mos thënë e vetmja që na bashkon. Shpesh të mërzitur nga ndonjë rezultat negativ, nga ndonjë rezultat i pamerituar, por nuk ndodh kurrë që ta braktisim. Bërtasim, ndoshta edhe shajmë, gjejmë fajtorët, drejtojmë gishtin, themi se nuk do e ndjekim më, por kjo nuk ndodh. E çuditshme, por e vërtetë! Ata mund të humbasin një ndeshje, por nuk na zhgënjejnë kurrë. Dhe sërish, është ndër të paktat raste kur ne shikojmë persona që i falin zemrën një fushe futbolli.

Kombëtarja do të na bashkojë të gjithëve që nga 2 shtatori, kur kuqezinjtë do të nisen drejt Polonisë, aty ku do të vijojnë rrugëtimin e nisur në muajin mars, për kualifikueset e vlefshme për Kampionatin Botëror “Katar 2022”. Tre ndeshje të luajtura, ndaj Andorrës dhe San Marinos, dy fitore në këto dy transferta dhe një humbje në stadiumin Kombëtar “Air Albania”, ndaj Anglisë, finalistes së EURO 2020. 6 pikë të grumbulluara, 3 gola të shënuar dhe dy të pësuar, ky është bilanci i kësaj Kombëtareje deri më tani që do të shkojë drejt Polonisë me qëllim që të vazhdojë me ecurinë pozitive në këto kualifikuese. 3 ditë më vonë, më 5 shtator, drejt Shqipërisë do të udhëtojnë hungarezët, me të cilët jemi përballur 6 herë në historinë e këtyre dy Kombëtareve. Ndërkaq, më 8 shtator do të përballemi me San Marinon modeste, për t’u rikthyer më pas sërish në tetor me ndeshjet e tjera.

Edhe Shqipëria U-21, e drejtuar nga Alban Bushi do të luajë në shtator. Shpresat do të udhëtojnë drejt Çekisë, ku do të përballen me Republikën Çeke, në sfidën e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023. Ndeshjen e parë, kuqezinjtë e Bushit e zhvilluan në transfertë ndaj Andorrës, ku fituan dhe e nisën mbarë këtë edicion, duke marrë 3 pikëshin e parë. Me vetëm një ndeshje në shtator, Shpresat do të rikthehen sërish në fushën e blertë në muajin tetor për të vazhduar me rezultatet pozitive.

Armando Cungu, i cili u emërua këtë vit në pankinën e Shqipërisë U-19 ka zhvilluar disa ndeshje miqësore, ku e fundit ishte në Itali, ndaj axurrëve, ndërsa më 3 dhe 5 shtator, kuqezinjtë do të presin në shtëpi Izraelin, ku Cungu do të ketë mundësi të vëzhgojë elementet dhe skuadrën e tij, për të krijuar ide mbi grupin që do të përfaqësojë Shqipërinë në kualifikueset e Kampionatit Europian 2022, me kuqezinjtë që janë shortuar në Grupin 7 së bashku me Francën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut me ndeshjet që do të luhen në Shqipëri në datat, 10, 13 dhe 16 nëntor.

Edhe Kombëtarja e Bulkut “ka rezervuar dy bileta” drejt Kosovës këtë shtator, me dy miqësore vëllazërore. Ashtu sikurse Cungu, edhe Bulkut do t’i shërbejnë këto miqësore për të vëzhguar dhe krijuar ide më të qarta mbi skuadrën që do t’i besojë përfaqësimin në kualifikueset e Kampionatit Europian 2022, ku kuqezinjtë janë shortuar në grupin 12 së bashku me Italinë, Skocinë dhe Irlandën e Veriut.

Ndërkaq, për Kombetaren e femrave nis një edicion i ri, Kupa e Botës “Australi-Zelandë e Re”. Rrugëtimi do të nisë nga Shqipëria, ku më 16 shtator, vajzat kuqezi do të presin Kosovën në shtëpi, ndërsa 5 ditë më vonë do të luajnë ndaj një rivali të fortë siç është Belgjika. Synimi është 6 pikë në dy ndeshje, për ta nisur sa më mbarë këtë sezon, teksa të besuarat e Grimës janë ngjitur në vazon e katërt tashmë, duke lënë pas vende si Mali i Zi, Turqia, Maqedonia e Veriut etj. Një arritje e jashtëzakonshme kjo për futbollin e femrave në Shqipëri, që është ndër prioritetet kryesore të Federatës së Futbollit, e që ka hartuar një strategji të mirëfilltë për ta zhvilluar më tej.

Në shtator rikthehet të luajë edhe Kombëtarja e femrave U-17, skuadra e drejtuar nga Agustin Kola. Shqipëria është shortuar në grupin B me Azerbarbajxhanin dhe Malin e Zi dhe gjendet në Ligën B, teksa do të luftojë që të ngjitet në Ligën A. Ndeshjet do të zhvillohen më 24, 27 dhe 30 shtator në Shqipëri. UEFA ia ka besuar Federatës së Futbollit organizimin e këtyre ndeshjeve, duke konfirmuar edhe njëherë seriozitetin dhe besueshmërinë e FSHF-së si partner.

Gjithçka na mbetet është vetëm të shikojmë dhe shijojmë këtë shtator, që pa diskutim do të jetë muaji i emocioneve të mëdha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat