Shala: Me Dukagjinin nuk ka me pas lehtë asnjë skuadër 

Futboll

Shala: Me Dukagjinin nuk ka me pas lehtë asnjë skuadër 

Nga: Kemajl Goca Më: 27 gusht 2021 Në ora: 11:33
Arbër Shala

Është interesant se nga pesë ndeshjet e javës së parë të elitës së futbollit të Kosovës, vetëm Drita ka shënuar fitore me rezultat 2:1 ndaj Feronikelit, katër ndeshjet tjera përfunduan baras.

Skuadra e Dukagjinit nga Klina, e cila u rikthye në elitë, arriti rezultat fantastik në Therandë, duke barazuar 1:1 me Ballkanin, që padyshim ishte me shije të fitores.

Mbrojtësi i majtë i Dukagjinit, Arbër Shala, shënoi golin e parë për ekipin e tij në edicionin e ri, që i solli një pikë shumë të rëndësishme.    

Dukagjini është prej skuadrave më të përforcuara, me një kryesi shembullore në krye me kryetarin Fabi Veseli, me kryetrajnerin Armend Dallku, do janë ndër skuadrat që shumëkujt do t’ia prishin matematikat në vazhdim të kampionatit. 

Shala është i lumtur për golin, por më shumë që dolën të pamposhtur ndaj skuadrës favorite, siç është Ballkani e cila synon titullin e kampionit.  
Dukagjini, finalist i Kupës së Kosovës në edicionin e kaluar, tani përgatitet për sfidën me Drenicën nga Skenderaj, që zhvillohet në Klinë.

“Bota sot”:  A mendoni se Dukagjini do të jetë prej skuadrave që shumëkujt do t'ia prishë llogaritë?

Arbër Shala: E kem nisur mirë duke e ditur që kemi pas ndeshje si mysafirë kundër ekipit që lufton për titull në këto vitet e fundit. Do të jemi ekip që nuk ka me pas lehtë asnjë skuadër kundër nesh.

“Bota sot”: Sfida e radhës me Drenicën, ku janë përparësitë?
Arbër Shala:
Mendoj që kemi përparësinë se jemi si vendas edhe do të kemi përkrahjen e tifozëve dhe do të hyjmë në lojë vetëm për fitore.  

“Bota sot”: Sa jeni të kënaqur me ambientin dhe kushtet?
Arbër Shala:
 Për ambient nuk jam çka flas, është i shkëlqyeshëm  mes lojtarëve e stafit po ashtu edhe me udhëheqësit e klubit. 
Kushtet? Besoj që i kemi shumë më të mira se cilado skuadër në Kosovë. Kemi  dy fusha natyrale edhe me bari sintetik.  

“Bota sot”: A mendoni se edhe Dukagjini do të luftojë për kreun e tabelës dhe për Evropë?
Arbër Shala:
Fillimi i mirë është gjysma e punës, tash na mbetet që të japim maksimumin në çdo ndeshje e në fund lutem që të jemi në Evropë, pse jo.

“Bota sot”: Cilat skuadra mund të ndjekin titullin?
Arbër Shala:
Për mendimin tim, janë tri skuadra: Ballkani, Drita dhe Prishtina, tjerat luftojnë për një vend në Evropë.

“Bota sot”: Si ndihesh që keni shënuar gol ndaj Ballkanit, a është edhe një motiv shtesë?
Arbër Shala:
Normal që jam i lumtur që shënova kundër Ballkanit, por më i lumtur jam që dolëm të pamposhtur prej Therandës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat