Dobra nuk i bashkohet Shpresës

Futboll

Dobra nuk i bashkohet Shpresës

Më: 3 shtator 2021 Në ora: 13:54
Dobra nuk i bashkohet Shpresës

Shqipëria U-21 po vazhdon përgatitjet për ndeshjen që do të zhvillojë ndaj Republikës Çeke, në transfertë, më 6 shtator, sfidë e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023. Skuadra është grumbulluar në Elbasan që prej ditës së diel, ku po vazhdon stërvitjet intensive me nga dy seanca çdo ditë.

Ditën e enjte, ekipi i drejtuar nga Alban Bushi ka zhvilluar një test ndaj Akademisë së Futbollit U-19, duke fituar bindshëm me rezultatin 5-0. Golat u shënuan nga Karrica e Marinaj, të cilët realizuan nga një dygolësh, si dhe sulmuesi i Vllaznisë, Mehdi Çoba. Bushi hodhi në fushë këtë formacion: Molla, Marku, Selmani, Pëllumbi, Ismajlgeci, Çelhaka, Lakti, Mehmeti, Karrica, Nikqi, Çoba.

Në pjesën e dytë të lojës tekniku kuqezi aktivizoi edhe lojtarët e tjerë të grumbulluar për ndeshjen ndaj Çekisë.

Ndërkohë, lista e lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Alban Bushi ka pësuar sërish ndryshime. Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se mesfushori Armando Dobra nuk ka udhëtuar drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar skuadrës për arsye personale dhe nuk do të jetë pjesë e kuqezinjve në këtë ndeshje. Ndërkaq, siç ishte parashikuar edhe në grumbullimin paraprak, edhe Eljon Tuci nuk do të jetë pjesë e skuadrës së drejtuar nga Bushi, duke iu bashkuar Kombëtares U-19 të Cungut, që do të zhvillojë ditën e premte në stadiumin “Selman Stermasi” ndeshjen e parë ndaj Izraelit.

Kuqezinjtë do të nisen me 4 shtator drejt Republikës Çeke, ku do të tentojnë të marrin një rezultat pozitiv. Kjo është ndeshja e dytë kualifikuese për ekipin e Shpresave. Sfida e parë e luajtur më 4 qershor në Andorra përfundoi në favor të kuqezinjve, me shifrat 0-3.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat