Dardanët e presin me entuziazëm ndeshjen me Greqinë

Futboll

Dardanët e presin me entuziazëm ndeshjen me Greqinë

Më: 4 shtator 2021 Në ora: 23:44
Dardanët e presin me entuziazëm ndeshjen me Greqinë

Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar sonte stërvitjen e fundit para përballjes së nesërme kundër Greqisë. Motivi për paraqitje dinjitoze dhe tri pikë të reja tek lojtarët në prag të kësaj ndeshje është i madh, teksa rikthimi i tifozëve “Dardanët” në tribuna, edhe pse në numër simbolik, u jep kurajë djelmoshave për t’i hyrë kësaj ndeshje me objektivin e fitores.

Në stërvitjen e sotme mungoi portieri Visar Bekaj, i cili në testet e fundit ka rezultuar pozitiv në Covid-19 dhe është izoluar nga pjesa tjetër e ekipit.

Ndërkohë, Elbasan Rashani ka stërvitur i diferencuar nga pjesa tjetër për shkak të lëndimit të pësuar në ndeshjen me Gjeorgjinë dhe përzgjedhësi Challandes në konsultim me stafin mjekësor do të vendosë nesër nëse ky futbollist do të jetë i gatshëm për lojë.

Para stërvitjes në konferencë për media përzgjedhësi Challandes ka folur për atmosferën brenda ekipit si dhe për duelin e nesërm.

“Jam shumë i lumtur me ndeshjen në Gjeorgji, jo vetëm për rezultatin, por fillimisht kemi bërë paraqitje të mirë teknikisht dhe mendërisht. Ekipi ishte kolektiv, por tani na pret ndeshje e vështirë kundër Greqisë. Ekipi ka luajtur me mentalitet të mirë, djemtë ishin të bashkuar. Ishte mentalitet ndryshe edhe në taktikë e teknikë. Ka qenë e rëndësishme mënyra se si kemi luajtur me topin dhe si jemi mbrojtur.

Rashani, Kastrati e Bytyqi bënë një ndeshje shumë të mirë ndaj Gjeorgjisë, pasi janë futbollistë që mbajnë topin dhe i japin frymëmarrje skuadrës”, theksoi Challandes. Ai ka thënë se në ndeshjen kundër Greqisë ekipi i tij duhet ta konfirmojë paraqitjen e mirë.

“Ndeshja me Greqinë është e rëndësishme për ta konfirmuar ndeshjen e mirë në Gjeorgji. Luajmë ndaj një ekipi me lojë e lojtarë të mirë, ndaj duhet të tregojmë edhe një herë lojë të fortë. Ndeshja e parë ishte e mirë. Rigjenerimi shkoi shumë mirë dhe mund të them se jemi përgatitur mirë për ndeshjen e dytë. Ndeshja e tretë me Spanjën do të jetë e vështirë, pasi duhet të kemi kujdes edhe nga kartonët”, ka shtuar Challandes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat