​Challandes dhe Hadërgjonaj: Mund ta befasojmë Spanjën

Futboll

​Challandes dhe Hadërgjonaj: Mund ta befasojmë Spanjën

Më: 7 shtator 2021 Në ora: 18:07
Foto nga vendi i ngjarjes

Trajneri i Kombëtares së Kosovës Bernard Challandes dhe mbrojtësi Florent Hadërgjonaj kanë folur në një konferencë për media para ndeshjes me Spanjën.

Challandes tha se ende nuk ka vendosur sa i përket formacionit për sfidën e nesërme, derisa e vlerësoi Spanjën si një skuadër të vështirë.

Challandes: Ende nuk kam vendosur asgjë për formacionin ndaj Spanjës

"Sot kam dy arsye pse nuk mund të jap formacionin dhe njëra prej tyre është që do të kemi stërvitjen pas pak dhe do të shohim situatën dhe gjendjen fizike të disa prej futbollistëve dhe më pas do të marrim vendimet definitive kurse sa i përket përballjes me Spanjën është një ndeshje jashtëzakonisht e vështirë... Loja e tyre kryesisht bazohet në dy komponente që e bëjnë të pamundshme për ekipin kundërshtar të luajë siç është posedimi i topit dhe presingu tmerrësisht i fortë që ata dinë ta bëjnë... por megjithatë edhe ne sikur ekipet tjera duhet ta provojmë të bëjmë maksimumin ndaj tyre," tha Challandes.

Ndërkohë mbrojtësi Florent Hadërgjonaj tha se Spanja është ndër ekipet më të mira në botë, por shtoi se janë të gatshëm për të dhënë maksimumin dhe se janë shumë të përgatitur.

Hadërgjonaj: Mund ta tregojmë veten ndaj Spanjës

"Nesër është një ndeshje shumë e rëndësishme për neve, një ndeshje shumë e madhe. E dimë se çfarë ekipi po na pret me, është një ekip ndër më të mirët në botë... Për ne e dimë që është një ndeshje e jashtëzakonshme kështu që jemi duke e pritur me shumë gëzim dhe mendoj se mund ta tregojmë veten si ekip dhe nesër do të jemi të përgatitur", tha Hadërgjonaj.

Ai tha se nuk i intereson pozita se ku e angazhon trajneri, por do të jep maksimumin dhe kjo pastaj shpërblehet me minuta në ndeshje.

Hadërgjonaj: Provoj të jap maksimumin

"Unë vij këtu me gjithë qejf, nuk kam kurrfarë interesi a diçka. Kur të vij këtu luaj ku të luaj... Provoj të jap maksimumin dhe të ndihmojë ekipin dhe kjo në fund shpërblehet edhe me lojëra", tha Hadërgjonaj.

Challandes ndër të tjera deklaroi se ndaj Spanjës nuk mund të bëjë lojë ofensive, por kjo nuk do të thotë që skuadra e tij të mos provojë të gjejë rrugën e golit.

Challandes: Nuk mund të bëjmë lojë ofensive ndaj Spanjës

"Normalisht se gjatë momenteve të caktuara në lojë ne do të provojmë të ndërtojmë aksione, do të provojmë të dalim në aspekt e ofensivës në situatat kur do ta kemi topin, por e kemi të qartë se kjo nuk do të jetë aspak e lehtë... sepse një gjë të tillë ndaj Spanjës nuk mund ta bëjë asnjë ekip në botë... Sa i përket vendosjes taktike nuk mund të them se do të jemi në ofensivë ose defansiv se sa ndaj Gjeorgjisë dhe Greqisë", tha Challandes.

Trajneri zviceran bëri të ditur se portieri Visar Bekaj ka rezultuar sërish pozitiv me COVID-19, ndërsa Elbasan Rashani dhe Valon Berishës ende nuk dihet ende nëse do të mund të paraqiten nesër në “Fadil Vokrri”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat