Daja merr përgjegjësi për humbjen

Futboll

Daja merr përgjegjësi për humbjen

Më: 10 shtator 2021 Në ora: 22:34
Daja merr përgjegjësi për humbjen

Abissnet Superiore hapet në mënyrën më të bukur të mundshme. Teuta dhe Partizani kanë dhuruar emocione në fushën e lojës, ndërsa nuk ka munguar as atmosfera e tifozëve në tribuna. “Demat e kuq” e nisin me humbje sezonin e ri, teksa janë mposhtur me rezultatin minimal 1-0 nga Teuta. Një humbje kjo që vjen më tepër si përgjegjësi e Partizanit se sa meritë e kundërshtarit. Kjo pasi goli i vetëm i takimit vjen pas një gabimi të Alban Hoxhës, ndërsa në pjesën e dytë Stenio Xhunior humbet rastin për të barazuar nga penalltia.

Pas përfundimit të ndeshjes, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për “Supersport“.

Daja(Partizani): “U ndëshkuam nga dy episode, pasi ishte një gabim i Hoxhës, që nuk duhet t’ia faturojmë vetëm atij. Sot pamë që kemi cilësi në grup, por nuk kemi ende ekip dhe na del për detyrë neve stafit teknik, që harmonizojmë veprimet e tyre dhe të marrim më të mirën nga potenciali që kanë.

Unë kam biseduar si me Malën, ashtu edhe me Kaçen, të cilët më thanë se janë gati të përballojnë me intensitet të plotë, rreth 25 minuta lojë, ndaj u dhashë aq sa mund të mbanin. Kanë ardhur rishtazi dhe shumë shpejt do të jenë gati për të dhënë më të mirën në fushë.

Sot as Junior nuk ishte në formën më të mirë fizike, pasi nëse është në ditët e tij më të mira, i jep një tjetër krijimtari repartit të sulmit. Në vazhdim do të vijojmë punën për të krijuar më shumë ekuilibër, por për humbjen e sotme e marr unë përgjegjësinë. Neve pothuajse jemi riformatuar tërësisht, pasi kemi afruar rreth 20 lojtarë dhe një pjesë të tyre do t’i federojmë me ekipin U21.

Partizani është një ekip i madh që kërkon të bëjë diferencën dhe ne bashkë me drejtuesit kemi studiuar çdo ditë për të gjetur lojtarët e duhur që mund të vijnë këtu.

Ndonëse jemi me vonesë, mendoj se kemi ndërtuar një ekip që jo vetëm do të luajë për objektiva madhorë, por premton shumë për të ardhmen, pasi kemi një ndërthurje brezash mjaft të mirë dhe me kalimin e kohës do të rritemi shumë më tepër. Kemi lojtarin Maguette, që është vetëm 18 vjeç dhe sot luajti vetëm 20 minuta, por ka shumë kualitet dhe ai bashkë me të tjerë do të tregojnë cilësitë e tyre në të ardhmen“.

Martini (Teuta): “E kam thënë gjithmonë që arma më e fortë e Teutës është grinta dhe dëshira për të fituar. Ky ekip ka një autoritet prej kampioni, të cilin e shfaq edhe në fushë, megjithatë është ende herët për të bërë gjykime. Sot morëm tre pikët, por vuajtëm jo pak ndaj Partizanit, ndaj besoj se kemi ende punë për të bërë në aspektin e menaxhimit të lojës. Gjithsesi ishte ndeshja e parë dhe me rëndësi ishte që ta nisnim mbarë, duke marrë tre pikët. Sjellja me arbitrin? Është një aspekt për të cilin ne flasim shpesh, por Aleksi ka këtë temperament dhe e vuajmë jo pak edhe në stërvitje. Ai jep maksimumin dhe e përjeton në mënyrë të atillë futbollin, ndaj e ka të vështirë të kontrollojë emocionet. Sa i përket Kallakut, atij i takon, pasi është kapiteni i skuadrës dhe duhet të jetë aty për të folur me arbitrin, Gjithsesi duhet të përmirësohemi në këtë aspekt.

Unë mendoj se jemi më mirë, pasi kemi ndryshuar në qendër të mbrojtjes, por edhe më lart, pasi ka ikur Bregu e ka ardhur Kallaku. Kemi ende edhe Vilën të dëmtuar, që e presim të rikthehet, por edhe Acquah, një element mjaft i rëndësishëm.

Problemi i vetëm është që të rinjtë kanë ardhur rishtazi dhe duhet ende edhe pak kohë që të bëhen pjesë e grupit, megjithatë them se do jemi më mirë se vitin e kaluar. A do të jetë Georgiev një surprizë te Teuta? Është një lojtar shumë i mirë, që punon shumë dhe vrapon gjithashtu shpejt, ndaj do të jetë i rëndësishëm për ne këtë sezon. Megjithatë ne kemi edhe alternativa të tjera.

Goli na imponoi të vinim pak më poshtë, megjithatë gabuam edhe disa pasime të shpejta, duke humbur mundësinë për të dalë në kundërsulm. Vlen të theksohet se edhe loja e Partizanit na imponoi atë tërheqje“.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat