Rrebesh gola në sfidën Laçi - Vllaznia

Futboll

Rrebesh gola në sfidën Laçi - Vllaznia

Më: 11 shtator 2021 Në ora: 15:57
Rrebesh gola në sfidën Laçi - Vllaznia

Abissnet Superiore ndizet që në ndeshjen e dytë të sezonit, me plot 8 gola të shënuar në Laçi-Vllaznia, aty ku shkodranët ia dolën të thyejnë një tabu që rezistonte prej vitesh dhe morën tre pikët falë suksesit 3:5.

Përballja mes këtyre dy skuadrave ka qenë gjithmonë e luftuar dhe spektakolare, por as më optimisti nuk e kishte parashikuar që do të shënoheshin 8 gola e për më tepër, 6 prej tyre në 45 minutat e para.

Shkodranët morën menjëherë kontrollin e lojës në Laç dhe arritën të fitojnë një 11-metërsh me anë të Esin Hakajt, i cili u pengua në zonë nga Ignjatovic, ndërsa arbitri Kreshnik Cjapi e akordoi vetëm pasi rishikoi aksionin në VAR.

Nga pika e bardhë shkoi Liridon Latifi, i cili gjuajti sa këtë dhe dërgoi topin në rrjetë, duke u dhënë avantazhin shkodranëve dhe njëkohësisht festuar me gol rikthimin e tij në elitën e futbollit shqiptar, ku më herët ka lënë gjurmë me Skënderbeun.

Në minutën e 24-t, kroati Aralica zbriti shpejt në kundërsulm dhe shërbeu për braziliani Da Silva në zonë, i cili e pati të lehtë të shtyjë topin në rrjetë për herë të dytë, duke krijuar iluzionin e një fitoreje të lehtë të shkodranëve.

Megjithatë braziliani Da Silva u bë protagonist negativ në minutën e 34-t, pasi la një top mbi vijën e zonës në mënyrë amatore dhe nga kjo situatë përfitoi malazezi Zarubica, i cili lëshoi një goditje të fortë dhe dërgoi topin në rrjetë, duke rihapur takimin.

Vetëm katër minuta më vonë, ka sërish një vertikalizim të bukur në zonë për Zarubicën, i cili i shpëton mbulimit të Hakajt dhe pozicionit jashtë loje, stopon bukur topin dhe e dërgon më pas në rrjetë, duke rikthyer baraspeshën.

Ka entuziazëm te vendasit, të cilët kërkojnë edhe golin e tretë, por ata që godasin janë sërish shkodranët, që nisen në një kundërsulm me Aralicën, i cili pasi vrapon nga gjysmëfusha kuqeblu, vihet i vetëm përballë Sherrit dhe dërgon topin për herë të tretë në rrjetë.

Trajneri Brdariç sheh orën, pasi mezi pret të shkojë në dhomat e zhveshjes në avantazh, por të tijtë nuk ia ofrojnë këtë kënaqësi, pasi nuk largojnë si duhet një top në minutat shtesë dhe përfiton maksimalisht Regi Lushkja, që lëshon një tjetër predhë nga distanca, duke rikthyer baraspeshën.

Pjesa e dytë nisi me të njëjtin ritëm si e para, teksa pas vetëm dy minutash lojë, Vllaznia rimerr avantazhin. Një top i mbetur në zonë pas një krosimi nga këndi, shfrytëzohet mjaft mirë nga kapiteni Gurishta, që gjuan pa u menduar dhe e dërgon në rrjetë.

Në minutën e 66’ shkodranët kanë mundësinë të shënojnë një tjetër gol, teksa njërit prej më të mirëve në fushë, kroatit Aralica, i del një top disi edhe me fat dhe niset drejt portës, por vonohet dhe më pas gabon në tentativën për të dribluar kapitenin kurbinas Ignjatovic.

Në të 73-tën është Liridon Latifi që guxon me një goditje dënimi nga shumë larg portës së Sherrit dhe goditja e numrit 7 kuqeblu ka forcën e duhur, por jo saktësinë për të shtangur portierin e kurbinasve.

Minutat në vijim të dy trajnerët provojnë të freskojnë skuadrën, ndërsa shkodranët kalojnë me rreshtimin 5-3-2 dhe ia dalin të mbajnë rrezikun larg portës së Zogoviç, ndërsa në minutat shtesë është braziliani Caina Amarante që shënon edhe golin e pestë për kuqeblutë, duke vulosur suksesin e parë sezonal.

Vllaznia e nis kështu mbarë një sezon, ku objektivi mbetet i njëjtë, titulli kampion, ndërsa Laçi bën një ndeshje të mirë, por tregon se ka shumë për të korrigjuar në repartin e prapavijës, ku ka ndryshuar jo pak krahasuar me sezonin e kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat