​Dy ndeshjet vendimtare, Shqipëria shpreson në kualifikim për “Katar 2022”

Futboll

​Dy ndeshjet vendimtare, Shqipëria shpreson në kualifikim për “Katar 2022”

Më: 5 tetor 2021 Në ora: 15:20
Pamje nga takimi

Kombëtarja e Shqipërisë do të vazhdojë ëndrrën drejt kualifikimit për në Kampionatin Botëror “Katar 2022”, ku gjatë muajit tetor do të zhvillojë dy ndeshje, ndaj Hungarisë dhe Polonisë, të vlefshme këto për fazën kualifikuese të Grupit I.

Para ndeshjes me Hungarinë, në konferencë për media dolën futbollistët Ermir Lenjani dhe Nedim Bajrami, ku të dy treguan se skuadra e grumbulluar nga trajneri Reja do të japë maksimumin që të vazhdojë me rezultate pozitive në ndeshjet në vazhdim.

Lenjani: Ndeshja ndaj Hungarisë është shumë e rëndësishme për ne

"Mendoj, për lojën me Hungarinë, është shumë e rëndësishme për neve. Do të shikojmë të fokusohemi më shumë te ne, më mirë, te forcat tona, dhe do të shikojmë se si do të ecë edhe loja", tha Lenjani.

Po ashtu, Lenjani tha që fillimisht Kombëtarja e Shqipërisë duhet të fokusohet në ndeshjen e parë kundër Hungarisë, dhe të tregojë kualitetet e tyre si skuadër, e po ashtu në aspektin individual.

Lenjani: Duhet të fokusohemi te Hungaria, pastaj vjen ndeshja me Poloninë

“Unë mendoj që së pari duhet të fokusohemi vetëm për Hungarinë. E dimë të gjithë që i kemi kualitetet shumë të larta si lojtarë individualisht edhe si ekip, dhe si e thash më herët, do të fokusohemi më shumë te ne që t'i japim kualitetet që i kemi dhe që me e fitua lojën, këtë të parën, dhe tani do ta shohim me Poloninë”, tha Lenjani.

Ndwrsa mesfushori ofansiv Nedim Bajrami ndeshjen ndaj Hungarisë e cilësoi shumë të vështirë, por pavarësisht kësaj tha se duhet që të përgatiten maksimalisht.

Bajrami: Kundër Hungarisë futemi me vetëbesim të madh

“Ne e dimë se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë edhe kundër Hungarisë në Hungari, dhe do të futemi në lojë me vetëbesim sepse i kemi fituar dy lojët e fundit dhe duhet të përgatisim lojën shumë mirë”, tha Bajrami.

Në fund, i pyetur se cila kombëtare është më e mirë, ajo e Hungarisë apo ajo e Polonisë, Bajrami u përgjigj se të dy kundërshtarët e ardhshëm të Shqipërisë janë të fortë pa dallim.

Bajrami: Duhet të koncentrohemi në lojën tonë, Hungaria dhe Polonia të dyja të forta

“Besojë që të dyja janë të forta, nuk ka kush është më e fortë, sepse loja fillon 0:0 edhe ne e dimë kualitetin tonë dhe duhet të koncentrohemi në lojën tonë”, tha Bajrami.

Ermir Lenjani rikthehet në ndeshjet e tetorit për Shqipërinë pas lëndimit që e kishte pësuar i cili e mbajti larg fushave për ndeshjet e kaluara të fazës kualifikuese, kurse Nedim Bajrami do të ketë rastin që të zhvillojë paraqitjen e tij të tretë me kombëtaren “Kuq e Zi”, nëse aktivizohet nga trajneri Reja në ndeshjen kundër Hungarisë.

Shqipëria ndeshjen e parë do ta zhvillojë më datën 9 tetor si mysafire e Hungarisë, kurse tre ditë më vonë, në stadiumin “Air Albania” e pret Kombëtaren e Polonisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat