Cikalleshi: Jemi të gatshëm, do të japim maksimumin në fushë kundër Hungarisë e Polonisë

Futboll

Cikalleshi: Jemi të gatshëm, do të japim maksimumin në fushë kundër Hungarisë e Polonisë

Më: 7 tetor 2021 Në ora: 19:37
Sokol Cikalleshi

Sulmuesi shqiptar Sokol Cikalleshi në një konferencë për mediat para ndeshjes me Hungarinë tregoi që skuadra është e gatshme dhe do të luftojnë që të kthehen me pikët maksimale kundër Hungarisë dhe Polonisë.

Sulmuesi i skuadrës turke Konyaspor theksoi se Kombëtarja e Shqipërisë duhet t’i vazhdojë paraqitjet e mira dhe të tregojnë se janë të bashkuar në ndeshjet e fundit, përcjell KosovaPress.

“Duke parë momentin dhe formën e lojtarëve tanë, mendoj dhe më vjen mirë që ne mendojmë të shkojmë në Hungari për ta fituar ndeshjen dhe jam i bindur që do shkojmë atje për të arritur atë çka duam”, tha Cikalleshi.

Cikalleshi tregoi edhe rëndësinë që kanë ndeshjet ndaj Hungarisë dhe Polonisë, ku i gjithë synimi qëndron te rezultatet pozitive që mund t’i dërgojnë drejt Botërorit “Katar 2022”.

“Janë dy ndeshje mjaft të rëndësishme për ne. Na tregojnë se mund të qëndrojmë brenda objektivit deri në fund apo mund të mendojmë diçka tjetër. Duke qenë se jemi përpara këtyre ndeshjeve që janë shumë të rëndësishme, ne jemi të fokusuar në arritjen e dy rezultateve pozitive që mund të na dërgojnë në Botëror”, tha Cikalleshi.

Për fund, sulmuesi 31 vjeçar tregoi që dëshira e tij është të shënoj gol në këto dy ndeshje, veçanërisht kundër Kombëtares së Hungarisë.

“Do të dëshiroja një gol ndaj Hungarisë, pasi me fitoren ndaj Hungarisë, me ndihmën e tifozëve që do të jenë në ‘Air Albania’ dhe duke qenë të gjithë bashkë me zjarrin e fitores ndaj Hungarisë, besoj se Poloninë dhe Lewandowskin do ta mundim”, tha Cikalleshi.

Shqipëria ndeshjen e parë të muajit tetor do ta zhvillojë kundër Kombëtares së Hungarisë si mysafirë më 9 tetor, kurse ndeshjen e dytë kundër Polonisë do ta zhvillojë si vendas më 12 tetor

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat