Shehi: Festa është normale

Futboll

Shehi: Festa është normale

Më: 30 tetor 2021 Në ora: 19:16
Shehi: Festa është normale

Orges Shehi nuk e fshehu kënaqësinë për fitoren ndaj Vllaznisë në Shkodër, teksa evidentoi faktin që bardheblutë po konfirmojnë se janë skuadër në ekuilibër mjaft të mirë.

“Sigurisht që pas një fitoreje të tillë, presidenti erdhi në dhomat e zhveshjes për të bërë përgëzimet e veta. Festa është normale, pasi skuadra ka stabilitet dhe po tregon qëndrueshmëri ndaj rivalëve. Fitore mjaft e rëndësishme, por duhet të shohim përpara, pasi kemi ende punë për të bërë.

Skuadra është në ekuilibër dhe të gjithë sakrifikojnë shumë për të ndihmuar njëri-tjetrin, gjë që u pa edhe me rastin e Seferit, që provoi të shërbejë për Limajn, ndonëse mund të shënonte edhe vetë. Të gjithë u treguam striktë në zbatimin e detyrave, sidomos kur mbetëm me 10 futbollistë, pasi nuk u dhamë asnjë mundësi kundërshtarëve.

Duam të luajmë nga poshtë, për të gjetur kohën e duhur për të sulmuar, por po tregojmë se nuk jemi ende gati, ndaj shpesh po dalim me topa të gjatë për Ngo’o, që na jep shumë siguri. Duhet të rritemi shumë gjithsesi, ndaj vijojmë punën.

Kur Toli mori karton të kuq, u mërzita, pasi bëri një faull të tillë, në një situatë të parrezikshme dhe bëri skuadrën të vuajë. Megjithatë Toli është shumë i rëndësishëm për ne dhe më vjen mirë që fituam, në mënyrë që gabimi i tij të mos peshojë.

Sot ndryshuam edhe rreshtimin, edhe mënyrën e daljes në sulm, gjë që e bëmë në varësi të kundërshtarit. Donim të mbyllnim hapësirat dhe më pas të shfrytëzonim shpejtësinë e lojtarëve si Xhixha e Seferi, për të vënë në vështirësi kundërshtarin. Bllokuam Latifin, që ishte pikë referimi për Vllazninë dhe në fund ia dolëm të marrim fitoren.

Kemi lënë pikë në dy ndeshje, por futbolli i tillë është dhe duhet të kalojnë 3-4 javë që skuadra të interpretojë mirë kërkesat e trajnerit. Na ka penalizuar edhe terreni i “Selman Stërmasit”, pasi nuk të lejon të luash shpejt dhe të vësh në vështirësi kundërshtarin. Megjithatë do të ketë edhe ditë me shi, ndaj të rrimë me këmbë në tokë.

Duhet të kontrollojmë anën emocionale, pasi kemi marrë shumë kartonë këto ndeshje, por më i pafalshmi nga ata ishte ai i Tolit sot, pasi ishte ndërhyrje e panevojshme. Derbi ka rëndësinë e tij dhe unë me Shkëmbin kemi qenë miq, por në futboll duhet të mendosh vetëm për skuadrën tënde. Këtë fitore do t’ua dedikoj tifozëve që nuk ishin sot në stadium, pasi duhej të ishin të shumtë, por ndodhi ajo që ndodhi””, tha Shehi ndër të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat