Mancini në presion të Zvicrës

Futboll

Mancini në presion të Zvicrës

Më: 11 nëntor 2021 Në ora: 12:42
Mancini në presion të Zvicrës

Roberto Mancini e ka pasur shumë të vështirë të vërë gjumë në sy, në këto 4-5 ditë të fundit, duke parë se çdo mëngjes duhet të përballet me lajme të frikshme.

Pasi ka humbur në orët e kaluara shumë yje si Verrati, Zaniolo, Pelegrini dhe Imobile, dje shpresat për të parë në fushë liderin e mbrojtjes së kampionëve të Europës janë shuar përfundimisht.

Xhorxho Kielini nuk ka kaluar testin forcës, pasi muskujt e tij shkaktojnë ende shumë dhimbje dhe për këtë arsye kapiteni i Italisë dje është larguar nga Koverçano, ndonëse do të jetë pranë skuadrës për ndeshjen me Zvicrën:

“Do të jem me ju në ‘Olimpiko’. Do të jem ultrasi dhe mbështetësi i pari i juaji, pasi jam i bindur se kundër Zvicrës do të bëni një ndeshje të madhe dhe do ta arrijmë objektivin tonë”, ishte postimi i 37-vjeçarit.

Gjithsesi, kjo mbështetje mund t’i vlejë shokëve dhe tifozëve italianë, por për trajnerin Mançini dhimbja e kokës sa vjen e bëhet më e madhe dhe dje ka nisur të studiojë lëvizjet e fundit në pritje të Zvicrës.

Në vend të Kielinit “Manço” ka thirrur Açerbin e Lacios, i cili ka më shumë shanse sesa interisti Bastoni apo romanisti Mançini që të luajë nga minuta e parë përkrah Leonardo Bonuçit, Emersonit dhe Di Lorencos, të cilët do të firmojnë prapavijën e të kaltërve. Ndërkohë, i vetmi repart që qetëson disi është mesfusha, pasi Barela është stërvitur me regjim të plotë dje dhe së bashku me Lokatelin e Zhorzhinjon do të firmojnë mesfushën, me Tonalin gati për një shans.

Ndërkohë, një rebus është edhe sulmi. Nëse Insinje dhe Kieza janë të sigurt, dyshimi e Mançinit është formula e të luajturit me “9 fals”, rol që mund ta bëjë njëri mes Bernardeskit apo Berardit, apo t’i besojë një pyke si Beloti, për të pasur më shumë centimetra dhe muskuj në sulm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat