Para ndeshjes me Anglinë flasin Reja dhe Cikalleshi: Të tregojmë gjakun shqiptar në fushë

Futboll

Para ndeshjes me Anglinë flasin Reja dhe Cikalleshi: Të tregojmë gjakun shqiptar në fushë

Më: 12 nëntor 2021 Në ora: 00:15
Edoardo Reja dhe Sokol Cikalleshi kanë qenë prezent në konferencën për media.

Kombëtarja e Shqipërisë do të zhvillojë nesër ndeshje si mysafire kundër Anglisë në stadiumin “Wembley”, e vlefshme kjo për fazën e grupeve në kualifikimet drejt Kampionatit Botëror “Katar 2022”.

Ekipi shqiptar ka mbërritur në Londër, ku trajneri Edoardo Reja dhe sulmuesi Sokol Cikalleshi kanë qenë prezent në konferencën për media.

Fillimisht, sulmuesi Cikalleshi ishte i pari që iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, duke treguar që pavarësisht nivelit që ka Anglia, skuadra nesër do të jap maksimumin dhe shpreson që ta ndihmojë ekipin të fitojë dhe të kontribuojë me gol.

“Mendoj se cilësia nuk mund të fitojë çdo herë. Kjo është ajo që dua nga vetja dhe ekipi, por nesër duhet të jemi taktikisht të disiplinuar dhe të tregojmë gjakun shqiptar në fushë”, tha Cikalleshi.

“Si sulmues shpresoj të gjej rrugën e rrjetës, përballë do të kem mbrojtësit më të mirë në botë por ky është futbollit dhe uroj të shënoj ekipi në fillim, ndërsa goli që do të shënoj shpresoj të ketë vlerë kjo është pozitive dhe na ndihmon neve të arrijmë atë çka duam”, shtoi sulmuesi shqiptar.

Ndërkaq, pyetjeve nga gazetarët iu përgjigj edhe trajneri Reja, ku tha që Anglia është skuadër shumë e fortë, dhe kërkoi nga “Kuq e Zinjtë” që të bëjnë një ndeshje perfekte dhe pa gabime.

“Uembli është tempulli i futbollit, prej shumë vitesh e njoh këtë realitet dhe jam shumë mik i Kapelos dhe ai më ka treguar se çfarë përfaqëson Uembli për futbollin ndërkombëtar ndaj do të jem i emocionuar. I njohim shumë mirë vlerat e Anglisë, është një kundërshtar për të cilin nuk ka nevojë të flitet gjatë.”, tha Reja.

“Fusha është njësoj për të gjithë dhe duhet të luajmë pa frikë. Të bëjmë një ndeshje perfekte, të mos bëjmë gabime, sepse jemi penalizuar në disa ndeshje, sidomos ndaj Polonisë. Duhet të jenë perfektë të gjithë, jo vetëm lojtarët në fushë, por edhe zëvendësuesit të bëjnë maksimumin”, shtoi trajneri i Shqipërisë.

Ndeshja e nesërme është e vlefshme për Grupin I të këtyre kualifikimeve, ku Shqipëria zë vendin e tretë me gjithsej 15 pikë, dy sosh më pak se Polonia në vendin e dytë dhe pesë pikë më pak se kundërshtari i nesërm Anglia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat