Brazili kualifikohet zyrtarisht

Futboll

Brazili kualifikohet zyrtarisht

Më: 12 nëntor 2021 Në ora: 11:34
Brazili kualifikohet zyrtarisht

Brazili bëhet skuadra e tretë që siguron kualifikimin në Kupën e Botës Katar 2022 dhe e para kombëtare nga një kontinent tjetër pas Gjermanisë dhe Danimarkës që siguron biletën për në Botërorin aziatik.

Selecao që nuk ka munguar në asnjë Kupë Bote që nga themelimi i saj nga FIFA në vitin 1930, mori fitoren 11-të në 12 takime në grupin eliminator të Amerikës së Jugut dhe falë suksesit minimal 1-0 ndaj Kolumbisë e thelloi në 18 pikë avantazhin nga vendi i 5-të, duke u kualifikuar zyrtarisht në Katar 2022, 6 ndeshje para fundit të kualifikueseve në Amerikën e Jugut madje Selecao ka luajtur edhe një ndeshje më pak se skuadrat e tjera.

Ndaj Kolumbisë në Neo Quimica Arena në Sao Paulo vendosi gjithçka një gol i vonë i mesfushorit të Lyon Lucas Paqueta i cili në minutën e 72-të mposhti Ospinan duke i dhënë tre pikët Brazilit dhe duke ndërlikuar misionin e Kolumbisë për të qenë pjesë e Kupës së Botës së vitit të ardhshëm.

Debutimi i Guillermo Barros Scheloto në stolin e Paraguait nuk ishte fatsjellës për përfaqësuesen bardhekuqe që u mposht në shtëpi nga Kili që vazhdon ngjitjen në renditje dhe për momentin falë tre fitoreve radhazi Vidal e Sanchez me shokë në vendin e 4-t të renditjes. Sfida e zhvilluar në Asunscion u vendos nga një autogol i portierit Antony Silva në minutën e 56-të.

Ringjalli shpresat për t’u kualifikuar në Botëror edhe Peruja që mposhti lehtësisht 3-0 Bolivinë duke u ngjitur në kuotën e 14 pikëve. Gianluca Lapadula, Christian Cueva dhe Pena realizuan në fraksionin e parë të lojës për Perunë që më pas vetëm menaxhoi avantazhin. Ruajti vendin e 3-të edhe pas këtij raundi Ekuadori që mposhti minimalisht Venezuelën 1-0 me një gol të Hincapie në minutën e 41-të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat