Spanja e Portugalia nuk guxojnë të gabojnë

Futboll

Spanja e Portugalia nuk guxojnë të gabojnë

Më: 14 nëntor 2021 Në ora: 11:06
Spanja e Portugalia nuk guxojnë të gabojnë

Sfidave të fazës së grupeve në Konfederatën e UEFA-s po iu vjen fundi dhe emrave të skuadrave përfaqësuese të kualifikuara deri tani pritet t’iu shtohen gjithashtu edhe tri ekipe të tjera kombëtare, që do të presin biletën për në botërorin e vitit të ardhshëm pikërisht nga ndeshjet e ditës së diel.

Takimet e së enjtes i shtynë llogaritë e Kroacisë, Portugalisë dhe Spanjës edhe për pak ditë, sidoqoftë tani është koha e së vërtetës për këto tri përfaqësuese, të cilat në Kupën e Botës që u zhvillua tre vjet më parë në Rusi, kaluan me sukses fazën e grupeve dhe ishin pjesë e ndeshjeve me eliminim të drejtpërdrejtë.

Natyrisht detyra për Portugalinë dhe Spanjën është më e lehtë, (luajnë respektivisht ndaj Serbisë dhe Suedisë), duke pasur parasysh që dy përfaqësueseve iberike iu mjaftojnë dy rezultate nga tri në ndeshjet përmbyllëse të fazës së grupeve, prandaj është e qartë që misionin më të vështirë në këtë aspekt e ka ekipi i Kroacisë.

Nënkampionët në fuqi të botës e humbën kryesimin pas rezultatit zhgënjyes në shtëpi me Sllovakinë dhe në fakt ai barazim 2-2 me “fajkonjtë” në Qytetin e Osijekut i dhuroi në mënyrë të papritur vendin e parë në Grupin H pikërisht ekipit të Rusisë, me dy pikë më shumë. Në këtë mënyrë skuadrës së drejtuar nga trajneri Zlatko Dalic i nevojitet patjetër fitorja në sfidën e fundit, për të lënë prapa një rival të drejtpërdrejtë si Rusia.

Sigurisht që nuk pritet të jetë e thjeshtë, nëse llogaritet bilanci i përgjithshëm i sfidave zyrtare ndërmjet këtyre dy vendeve, pasi Kroacia dhe Rusia i kanë barazuar katër ndeshjet kompetitive mes tyre.

Dueli më i rëndësishëm në përballjet ndërmjet tyre është regjistruar vetëm tri vjet më parë, në botërorin rus, në Sochi në fazën cerekfinale, ku skuadra e trajnerit Zlatko Dalic ia doli të kualifikohej në mënyrë tepër dramatike, pas gjuajtjeve të 11-metërshave.

Ndeshja Kroaci – Rusi do të luhet në orën 15:00 në Stadion Poljud të Splitit dhe do të drejtohet nga kryesori holandez Danny Makkelie, sidoqoftë është e qartë që për ekipin që do të pozicionohet në vendin e dytë mbetet përsëri edhe mundësia e fazës play off, pasi Sllovakia dhe Sllovenia u distancuan herët dhe renditen vërtet shumë poshtë në klasifikimin e këtij grupi.

Më e thjeshtë paraqitet situata për Spanjën që rrëmbeu në mënyrë surprizë kryesimin e Grupit B, pas hapit të gabuar të përfaqësueses së Suedisë në Tbilis me kombëtaren gjeorgjiane. Edhe në këtë grup këto dy ekipe janë shkëputur ndjeshëm nga pjesa tjetër e skuadrave, sidoqoftë është e qartë që përfaqësueses skandinave që pritet të udhëhiqet nga dyshja Zlatan Ibrahimovic – Alexander Isak i nevojitet patjetër fitorja për të prerë biletën për në botërorin e ardhshëm.

Dy muaj e gjysmë më parë në Friends Arena të Solnas verdheblutë përmbysën disavantazhin e fraksionit hapës për të triumfuar me rezultatin 2-1, gjithsesi këtë radhë takimi do të mbahet në Andaluzi, në orën 20:45 në Stadiumin La Cartuja të Seviljes. Kjo sfidë i është besuar arbitrit të mirënjohur gjerman Felix Brych dhe kurioz është fakti që Suedia jo vetëm që nuk njeh fitore në Spanjë në sfidat kompetitive, por gjithashtu verdheblutë kanë dështuar qoftë edhe për të gjetur rrjetën në tri ndeshjet e rëndësishme që kanë pasur në gadishullin iberik ndaj “La Roja”-s.

Në pozita të njëjta janë gjithashtu edhe Portugalia me Serbinë në Grupin A ku përfaqësueses luzitane i mjafton edhe barazimi për të garantuar pjesëmarrjen për në botërorin e Katarit. Trajneri Dragan Stojkovic pritet të rreshtojë përpara nga minuta e parë dyshen Aleksandar Mitrovic – Dusan Vlahovic.

Serbia nuk ka fituar kurrë një ndeshje kompetitive ndaj Portugalisë. Të vetmin sukses miqtë e kanë regjistruar në kohën e Ish-Jugosllavisë me rezultatin e thellë 5-1, megjithëse për hir të së vërtetës bëhet fjalë për një takim të mbajtur në Beograd, gjashtë dekada më parë, të vlefshëm për kampionatin e parë evropian, ku miqtë u shpallën nënkampionë kontinentalë, duke u thyer vetëm nga Bashkimi Sovjetik në finale.

Trajneri Fernando Santos nuk do të ketë në dispozicion qendërmbrojtësin veteran Pepe, pas kartonit të kuq të marrë në Dublin, ndërkaq vlen të theksohet fakti që në katër sfidat kompetitive që këto dy vende kanë pasur ndër vite në tokën luzitane miqtë ia kanë dalë mbanë gjithmonë për të shënuar në portën e Portugalisë. Ndeshja Portugali – Serbi do të luhet në orën 20:45 në Stadiumin da Luz të Lisbonës dhe do të drejtohet nga kryesori italian Daniele Orsato.

Në orën 18:00 në Yerevan luhet thjesht sa për statistika takimi Armeni – Gjermani, megjithëse Hansi Flick pavarësisht mungesave të shumta do të bëj çmos që ta përmirësojë rekordin e tij të vecantë, si trajneri i parë i “Mannschaft”-it në historinë e përfaqësueses teutone që e nisi karrierën e tij me 6 fitore radhazi në ndeshjet kompetitive.

Po në Grupin J me shumë interes, në orën 18:00, pritet edhe dueli në distancë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë. Pas tre golave të shënuar në Armeni, Enis Bardhi pritet të udhëheqë “luanët” drejt fazës play off. Maqedonia e Veriut pret në Shkup Islandën dhe vendasve iu mjafton qoftë edhe një fitore minimale për të mbajtur prapa Rumaninë, që ka një ndeshje të lehtë në Vaduz përballë ekipit të Lihtenshtejnit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat