Pioli: Kam frikë nga skuadrat me mungesa!

Futboll

Pioli: Kam frikë nga skuadrat me mungesa!

Më: 19 nëntor 2021 Në ora: 17:22
Stefano Pioli

Stefano Pioli, trajneri i Milanit, e di mirë rëndësinë e ndeshjes kundër Fiorentinës. Kuqezinjtë duan tre pikët dhe shpresojnë që Napoli të ndalet me Interin rival direkt dhe ta marrin të vetëm kreun e klasifikimit.

Tekniku italian fillimisht ka deklaruar: “Grupi e di vështirësinë e ndeshjeve dhe e kupton që është një moment i rëndësishëm në kampionat. Fitoret vlejnë gjithmonë tre pikë, por ndeshja kundër Fiorentinës peshon shumë".

“Kam gjithmonë frikë nga skuadrat që janë në vështirësi për shkak të mungesave. Na ka ndodhur edhe ne dhe kemi gjetur më shumë energji dhe vendosmëri. Pastaj po flasim për një skuadër që ka një identitet të fortë dhe ata që do të luajnë e dinë se çfarë duhet të bëjnë”, shprehet Pioli.

Më tej trajneri i Milanit vlerëson sulmuesin Vlahovic dhe kolegun e tij, Italiano: “Fiorentina do të jetë një kundërshtar shumë i vështirë. Vlahovic është rritur shumë. E kam stërvitur kur ishte shumë i ri, por që atëherë tregonte potencial të madh.

Është një sulmues shumë i mirë. Italiano është një trajner shumë i mirë, ka bërë gjithmonë mirë. Është i ri, por me ide të qarta. Po bën një punë shumë të mirë, duke i dhënë identitet skuadrës së tij. Për mua nuk do të jetë kurrë një ndeshje normale. Edhe për kujtimin e Davide Astori, që kur shkoj në Firenze është gjithmonë e më pranë”.

Pioli ngacmohet edhe për rinovimin e kontratës: “Nuk mendoj se është momenti i duhur për të folur. Kur të ketë të reja, do t’ju njoftoj. Është klubi ai që vlerëson kohën në të tilla situata dhe unë nuk kam pasur asnjëherë nxitim. Jemi të përqendruar te fusha, pastaj gjërat e tjera do të bëhen”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat