Partizani pret Laçin

Futboll

Partizani pret Laçin

Më: 20 nëntor 2021 Në ora: 11:37
Partizani pret Laçin

Partizani kërkon fitoren e dytë në kampionat, pas suksesit të parë sezonal ndaj Kastriotit, por këtë herë përballë të kuqve do të jetë Laci, një skuadër me pretendime të mëdha.

Të besuarit e Ilir Dajës do të dëshmonin me një sukses se tashmë janë kthyer në rrugën e duhur dhe mund të pretendojnë gjysmën e sipërme të tabelës, ndërsa do tregonin se ajo nisje e sezonit ishte vetëm një rastësi.

Me vetëm 8 pikë në 8 javë, të kuqtë ende e sheh veten në zonën e “play off” dhe natyrisht është një pozicion shumë larg ambicieve që kanë drejtuesit e skuadrës kryeqytetase.

Laçi në anën tjetër ka treguar një tjetër fytyrë me Mirel Josën në stol. Kurbinasit kanë marrë 3 fitore radhazi duke triumfuar ndaj Kastriotit, Skënderbeut dhe Teutës, e duke shënuar 5 gola e duke e mbajtur rrjetën e paprekur.

Bardhezinjtë e kanë harruar nisjen jo të mirë të sezonit e duan që të ruajnë ritmin e rezultateve pozitive edhe ndaj ekipit të kuq. Trajneri Josa do besojë edhe tek forma e mirë e sulmuesit Guindo, i cili në dy ndeshjet e fundit ka arritur që të shënojë 3 gola, duke e ndihmuar jo pak skuadrën.

Sezonin e shkuar Laçi dhe Partizani janë përballur 5 herë mes Kupës dhe kampionatit, me kurbinasit që kanë fituar një sfidë në kampionat, ndërsa në Kupë u kualifikuan falë 11-metërshave ndaj kryeqytetasve.

Jashtë fushe bardhezinjtë këtë sezon kanë marrë vetëm një fitore, ndërsa në “Elbasan Arena” kanë zbritur vetëm një herë këtë edicion, ku barazuan 1-1 ndaj Dinamos në javën e dytë të Abissnet Superiore. Në një takim ku të dyja skuadrat duan të konfirmojnë vazhdimësinë, pritshmëritë janë maksimale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat