Teuta-Skënderbeu, një sfidë interesante

Futboll

Teuta-Skënderbeu, një sfidë interesante

Më: 21 nëntor 2021 Në ora: 11:41
Teuta-Skënderbeu, një sfidë interesante

Teuta për ta rinisur me një marsh më shumë kampionatin, Skënderbeu për t’ia rifilluar pikërisht aty ku e la.

Në sfidën e fundit para pauzës së kombëtare skuadra e Migen Memellit dha një sinjal të fortë ringjalljeje, pasi bëri surprizën e madhe, duke mposhtur 2-1 Kukësin, fitorja e parë e këtij sezoni të nisur mes shumë vështirësish, që ka ngrohur zemrat e skuadrës korçare për arritjen e mbijetesës në një kampionat me shumë vështirësi për ta.

Obligimi është për të tentuar një tjetër stërkëmbësh, këtë herë në transfertë, përballë një Teute të etur për të lënë pas oshilacionet që kanë karakterizuar ndeshjet e kaluara, me skuadrën bregdetare që në dy ndeshjet e fundit në kampionat është ndalur në barazim nga Kastrioti, ndërsa më pas ra 2-0 në transfertën e Laçit.

Rezultate që nuk u përgjigjen ambicieve për mbrojtjen e titullit kampion dhe që vënë skuadrën e Edi Martinit para apelit për të reaguar menjëherë ndaj një Skënderbeu që gjendet në zonën e ftohtë të klasifikimit, sfidë pas së cilës kalendari rezervon një seri përballjesh me skuadrat pretendente.

Me Tiranën të shkëputur në krye, për bregdetarët është shansi për të rikuperuar terren në klasifikim, duke parë edhe transfertën e vështirë të bardhebluve me Kukësin, edhe pse përballë Skënderbeut nuk do të jetë e lehtë.
Në kampin korçar Memelli bën llogaritë pa Bismark, tanimë të larguar nga skuadra, dhe i duhet të gjejë të tjera impulse për repartin e sulmit, që deri më tani ka lënë për të dëshiruar, me Skënderbeun që ka shënuar vetëm 6 gola në 8 javët e para të kampionatit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat