Hoxhaj është rikthyer me një dygolësh

Futboll

Hoxhaj është rikthyer me një dygolësh

Më: 23 nëntor 2021 Në ora: 14:06
Hoxhaj është rikthyer me një dygolësh,

Fitorja 3-1 ndaj Kastriotit ka kthyer atmosferën pozitive në Shkodër, aty ku çdo rezultat i Vllaznisë, pasojë edhe e pasionit të madh për futbollin,  përjetohet nga tifozeria i amplifikuar si në aspektin pozitiv ashtu dhe atë negativ. Suksesi ndaj skuadrës krutane ka ardhur në momentin e duhur, pas disa oshilacioneve para pauzës, dhe për më tepër, pas ndeshjeve të kombëtareve, Vllaznia ka një armë të fortë më shumë.

Ardit Hoxhaj është rikthyer me një dygolësh, që i dha drejtimin përfundimtar ndeshjes, vetëm pak ditë pasi kishte shënuar ndaj Pogradecit, rival ndaj të cilit shënoi edhe në sfidën e parë të Kupës, një konfirmim se po gjen formën më të mirë.

Sezonin e kaluar ishte padyshim zbulimi i skuadrës shkodrane, me vlonjatin që bëri sezonin më të mirë të karrierës, 12 gola në kampionat që ndikuan shumë në sezonin pozitiv të kuqebluve, që luftuan për titullin kampion deri në momentin e fundit, si dhe fituan Kupën e Shqipërisë.

Paraqitje që i dhuruan dashurinë e tifozëve por edhe oferta nga jashtë vendit, me 27-vjeçarin që zgjodhi t’i qëndronte besnik klubit kuqeblu që e shpërbleu me një kontratë të re.

I rikthyer pas dëmtimit, sulmuesi rrit ndjeshëm potencialin sulmues të skuadrës së Brdaric, e madje dhe konkurencën për shokët e repartit. Me një Hoxhaj në formë, opsionet e golit për Vllazninë janë padyshim më të mëdha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat