Xavi: Bayerni i fortë, por duam të ndryshojmë historinë

Futboll

Xavi: Bayerni i fortë, por duam të ndryshojmë historinë

Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 11:01
Xavi: Bayerni i fortë, por duam të ndryshojmë historinë

Trajneri i Barcelonës, Xavi, ka dalë para mediave në konferencën e zakonshme për shtyp para takimit shumë të rëndësishëm në Champions kundër Bajernit.

Xavi dhe Barcelona janë përpara një misioni të vështirë, teksa u duhet fitorja për t’u kualifikuar në 1/8 e finale pa pritur ndonjë mrekulli nga Lisbona.

Trajneri i Barcelonës, duke folur për sfidën, e ka pranuar se në Mynih do të jetë një provim shumë i vështirë. Por, ai nuk e ka humbur besimin në ekipin e tij dhe suksesin në “Allianz Arena”, atje ku kanë dështuar të gjithë paraardhësit e tij.

“Për fat të keq, do të kemi përballë një nga rivalët më të fortë të mundshëm. Po flasim për një nga klubet më të mëdha në botë, por nga ana tjetër e kemi gjithashtu të qartë se gjithçka varet nga këmbët tona. Nëse fitojmë në Mynih, jemi të kualifikuar. E vërteta është se nuk kemi fituar kurrë në Mynih, por historia është bërë për t’u ndryshuar, statistikat janë bërë për t’u thyer. Ne jemi të bindur se mund të përballemi si të barabartë me Bajernin në Mynih”, ka thënë fillimisht trajneri i Barcelonës.

Xavi ka folur edhe për gjendjen e lojtarëve të tij në prag të kësaj sfide, duke zgjedhur të bëjë optimistin.

“Ne do të përpiqemi të bëjmë më të mirën për të fituar. Nuk dua të flas për dështim, pasi nuk e besoj këtë fjalë. Nëse ndodh të dështojmë do të flasim pas ndeshjes. Rëndësi ka që gjithçka varet nga ne dhe do të zbresim për të fituar. Lojtarët janë stërvitur mjaft mirë dhe të gatshëm për të garuar.

E përmenda më lart se nuk është fusha më e mirë e mundshme për të fituar, por ne nuk kemi çfarë humbasim. Unë shpresoj që humbjet e fundit me Bayernin të mos ndikojnë në humorin e lojtarëve.

Presioni është mbi mua”, ka thënë trajneri i Barcelonës.

Nga ana tjetër trajneri i Barçës ka theksuar se një fitore në Mynih nuk duhet konsideruar si mrekulli për ekipin e tij. “Siç e tha dhe Pike nuk më pëlqen të flas për mrekulli në rast fitoreje, sepse po ju kujtoj se jemi Barcelona dhe ky ekip mund të fitojë kudo dhe ndaj kujtdo”, ka mbyllur Xavi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat