Nuk ndalen Tirana, Apolonia e Vllaznia

Futboll

Nuk ndalen Tirana, Apolonia e Vllaznia

Më: 11 dhjetor 2021 Në ora: 18:34
Nuk ndalen Tirana, Apolonia e Vllaznia

Tre ndeshjet e planifikuara të javës së tetë në kampionatin kombëtar të femrave janë luajtur këtë të shtunë, ndërsa dy ndeshjet e tjera mes KF Murlani – Partizani dhe Atletic Klub – Lushnja janë shtyrë për shkak të kushteve atmosferike.

Pa surpriza janë mbyllur këto sfida, teksa vijojnë me paraqitjet pozitive Tirana, Apolonia e Vllaznia.

Ekipi bardheblu fitoi derbin e kryeqytetit ndaj Tirana AS, me ndeshjen që u luajt paraditen e sotme në Kamëz. Ishin bardheblutë ato që kaluan fillimisht në avantazh me Cokën, ndërsa më pas shënoi edhe Gjoni.

Pak minuta para mbylljes së pjesës së parë, Kasa ngushtoi rezultatin, por Tirana përgjigjet brenda dy minutave, duke shënuar edhe golin e tretë me Maxhalakun. Në pjesën e dytë, futbollistja e Tiranës realizon dopietë dhe vulos rezultatin 1-5, me bardheblutë që kanë marrë 7 fitore në 7 ndeshje të luajtura, duke kryesuar me pikë të plota.

Ndërkaq, Apolonia ka fituar me rezultatin e thellë 12-0 ndaj Kinostudios në shtëpi, me një lojë të dominuar totalisht nga fieraket. Egzona Gashi ka arritur të shënojë 5 gola në këtë sfidë, ndërsa Liridona Gashi e Troka ndajnë nga një tripletë secila si dhe një gol i shënuar nga Marinela Mema. Apolonia vijon kështu me rezultatet pozitive, ndërsa renditet në vendin e tretë me 19 pikë, po aq sa Vllaznia e vendit të dytë.

Sakaq, shkodranet kanë marrë një tjetër trepikësh ndaj Teutës, një ndeshje e lehtë në letër për kampionet e vendit që fituan me shifrat 1-18. Një tjetër rezultat i thellë ky për verioret, ku golashënuese kryesore ishte e përhershmja Doci, e cila shënoi tetë gola në këtë ndeshje, ndërsa realizuan nga tre gola Lufo e Gjini, si dhe shënuan emrin në listën e golashënueseve edhe Franja me dy gola e Vrucaj dhe Blinishta me nga një gol ndërsa vulën për realizimin e vetëm të durrsakeve e mban Kacorri. Vllaznia renditet aktualisht e dyta me 19 pikë pas shtatë ndeshjesh.

Tirana AS 1-5 Tirana

Apolonia 12-0 Kinostudio

Teuta 1-18 Vllaznia

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat