Barella: Duam të përsëritemi

Futboll

Barella: Duam të përsëritemi

Më: 16 dhjetor 2021 Në ora: 12:20
Barella: Duam të përsëritemi

Që kur kam qenë fëmijë e kam imagjinuar veten tek Interi, duke ndihmuar skuadrën të fitojë yllin e dytë në fanellë”. Me këto fjalë e ka nisur deklaratën e tij Nikolo Barela që falë një sezoni fantastik me klubin dhe kombëtaren italiane, u vlerësua si “Shpërthimi i vitit” në eventin e “Gazzetta Sports Awards”.

Me rrënjët në të shkuarën, por me mendjen tek e ardhmja, 24-vjeçari i ka idetë e qarta se ku do të arrijë me Interin, por di ama edhe ku do të arrijë me familjen: “Mjaft më me vajza”, ka qenë batuta mbi zgjerimin e familjes që tani përbëhet nga bashkëshortja dhe tre vajzat e tij.

“Ka qenë një vit fantastik, por mund t’ju them se çdo gjë ka nisur nga ajo humbje në finalen e Europa League kundër Sevillës:

“Prej andej ka nisur puna, frytet e së cilës i korrim ende.

Duam të përsëritemi dhe të vërtetojmë se jemi akoma të fortë, plus që të gjithë e dinë se është më e vështirë të konfirmohesh se të fitosh herën e parë”, pohoi një nga shtyllat e këtij Interi, që nuk harroi t’u tregonte dhëmbët kundërshtarëve, para se të vazhdonte autokritikën për kartonin e kuq dhe të ngrinte në piedestal Inzagin dhe Brozoviçin.

“Ju thashë që ëndërroj të fitoj yllin e dytë. Tani që jam këtu nuk ndalem, dua të fitoj që këtë vit. Sigurisht që besoj, besojmë të gjithë brenda dhomave të zhveshjes sepse mbi të gjitha jemi Interi dhe të fitojmë titullin e 20-të për klubin e kemi detyrim.

Pastaj mund t’ju them se pavarësisht faktit se këtë vit ka më shumë konkurrencë, ne kemi diçka më shumë: Jemi të ndërgjegjshëm sa vlejmë dhe kemi më shumë eksperiencë. Këtë e tregojmë sa herë që zbresim në fushë dhe e ndjejmë jo vetëm ne, por edhe kundërshtarët tanë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat