Si mund të dalë Dinamoja nga kriza?

Futboll

Si mund të dalë Dinamoja nga kriza?

Më: 17 dhjetor 2021 Në ora: 13:43
Shkëmbi

Nuk ka më vend për deklarata opti miste dhe inkurajuese. Edhe më optimistët tashmë duken të dorëzuar dhe presin që skuadra të flasë në fushë, duke nisur nga sot me Vllazninë në orën 19:45 në stadiumin “Elbasan Arena”.

Trajneri Bledi Shkëmbi, si gjithë të tjerët, pranon se situata është shumë e vështirë. Ai ka biseduar sërish ditët e fundit me të tijtë, duke u përsëritur refrenin për të dhënë gjithçka në fushë dhe për të bërë kthesën. Ai pret që kjo gjë të ndodhë sot.

Në një bisedë për “Panorama Sport”, i pyetur se a ka mundësi kjo Dinamo ta ngrejë kokën, kreu i stolit blu është shprehur: “Unë besoj që po. Jemi në një moment vërtet shumë të vështirë, sepse vijmë pas disa humbjesh radhazi, por me Vllazninë shpresojmë që të bëjmë kthesën e vërtetë.

Është e kotë të flasim shumë, por le t’ia lëmë fushës gjithçka dhe të japim maksimumin. Realisht kam parë një lloj karikimi të lojtarëve dhe kjo më bën të besoj për një rezultat pozitiv, që do të na ndihmonte shumë psikologjikisht në këtë moment delikat”.

Si mund të dalë Dinamoja nga kriza? “Me përqendrim dhe me përkushtim maksimal në fushë. Atë që bëjmë në stërvitje gjatë javës ta reflektojmë edhe në ndeshje. Së pari, të shmangim gabimet tona individuale, të mos bëjmë më dhurata, siç kemi bërë në disa ndeshje të fundit, ku jemi penalizuar.

I tillë ishte edhe rasti i ndeshjes me Partizanin, ku u goditëm në momentin tonë më të mirë nga kundërshtari. Nuk arritëm të shënonim në rastet e pastra që patëm, pastaj bëmë ato gabime të njëpasnjëshme në rastin e golit të tyre. Nëse shënonim ne, gjithçka do të ishte ndryshe”, ka theksuar më tej trajneri korçar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat