Shehi: Provimi i radhës me Teutën

Futboll

Shehi: Provimi i radhës me Teutën

Më: 18 dhjetor 2021 Në ora: 17:06
Shehi: Provimi i radhës me Teutën

Tirana kërkon të reagojë pas humbjes në Laç dhe ndaj Teutës do të tentojë pikët maksimale. Ekipi bardheblu kryeson Abissnet Superioren me 27 pikë dhe sfidën e radhës do të presë kampionët në fuqi në “Air Albania” (e diel, 19:45).

Trajneri i Tiranës, Orges Shehi foli në konferencën për shtypin rreth duelit me ekipin e Edi Martinit, gjendjes së skuadrës së tij, teksa mohon zërat e lidhin mesfushorin Ennur Totre me një rikthim te Shkëndija e Tetovës.

“Unë mendoj që futbolli është provim javë pas javë. Kur provimin e fundit nuk e bën mirë, përqendrohesh me gjithë forcat dhe impenjimin të bësh mirë provimin e radhës, që është ndeshja me Teutën. Duhet të ndryshojmë, si në mënyrë loje por edhe sa i përket rezultatit, sepse në Laç asnjëra nga të dyja nuk ishte në favorin tonë.

Presion? Nuk mendoj që grupi dhe fryma e skuadrës ka presion, sepse ka edhe shumë javë e shumë pikë në lojë. Kampionati është një maratonë e gjatë, do ketë ndalesa për të gjithë skuadrat. Është një ndeshje nesër që do duam të marrim maksimumin për të vazhduar serinë e rezultateve pozitive, por pikët do vijnë edhe me lojë.

Teuta? Ndeshje e luftuar, e fortë me të gjithë komponentët e saj. Nuk përbën ndryshim trajneri, pasi i njëjti trajner kthehet, ka punuar rreth dy vite te Teuta dhe ka pasur sukses. Nesër do të bëjmë detyrat për të dalë fitimtarë.

Xhixha na kthehet pas një periudhe relativisht të gjatë. Do mendojmë deri në fund nëse do luajë nga fillimi apo do jetë në stol, por rëndësi ka që është rikthyer në stërvitje me skuadrën. Kemi humbur Najdovskin në Laç, një lojtar i rëndësishëm për ne. Mungesat do të jenë Përgjoni dhe Najdovski.

Totre te Shkëndija? Nuk frikësohemi aspak, Totre është lojtari ynë, ka kontratë 2-vjeçare. Kam qenë ndër të parët që kam kërkuar afrimin e tij në skuadër, ai është një lojtar i rëndësishëm për ne. Janë fjalë merkatoje, nuk ka asgjë të vërtetë”, deklaroi Orges Shehi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat