Longo: Me personalitet arrihet në këto nivele. Daja; Keqardhje të humbasësh në këtë mënyrë

Futboll

Longo: Me personalitet arrihet në këto nivele. Daja; Keqardhje të humbasësh në këtë mënyrë

Më: 19 dhjetor 2021 Në ora: 20:26
Diego Longo

Sfida në “Loro Boriçi” ka rikthyer entuziazmin dhe optimizmin në garën për titull te Kukësi. Trajneri Diego Longo pohoi pas ndeshjes se ekipi i tij po ecën në drejtimin e duhur dhe falë personalitetit që ka, skuadra ka arritur deri këtu në luftën për titull.

“Dua të them se po luanim me një prej ekipeve më të mira në Shqipëri, bashkë me Tiranën është e tillë sa i përket cilësisë. Ata na njihnin, ne i njohim gjithashtu. Në fillim na bënë presing dhe nuk kishim aq shumë besim. Ndoshta edhe goli i shpejt ishte i vështirë për t’u pranuar. Por në pjesën e dytë e pamë njëri-tjetrin në sy dhe e kuptuam çfarë duhej të bënim. Treguam një karakter te fortë dhe nuk deshëm vetëm barazimin, por të fitonim dhe kjo është fitore që tregon karakter e personalitet. Është e qartë që duhet të përmirësohemi shumë. Punojmë shumë çdo ditë për këtë. Nuk e di se sa skuadra mund të rezistonin pas një goli të tillë. Ne u desh të rezistonim, ne nuk luajtëm shumë, por bëmë trysni. Mund të themi se Musta ndryshoi dy herë ndeshjen, në fillim dhe pastaj kur shënoi autogolin. Kush ishte gol më i bukur? Për Partizanin ishte i pari, për ne ishte i dyti. Ky grup që në fillim luftoi kundër shumë gjërave dhe të arrijmë në Krishtlindje të bashkuar, të lumtur, është shumë e rëndësishme dhe është me e rëndësishmja. E meritojmë, e kemi treguar se me personalitet mund të arrihet në këto nivele”, deklaroi trajneri i ekipit verilindor.

Në anën tjetër, ka keqardhje për trajnerin Ilir Daja i cili mendon se rastet e shpërdoruara penalizuan skuadrën përballë Kukësit.

“Duhet ta kishim përfunduar pjesën e parë në avantazh goxha më të madh, pasi kishim shumë raste. Kukësi fitoi territor në pjesën e dytë, por gjuajtjen e parë në portën tonë e bëri te goli i dytë. Të vjen keq të humbasësh këtë ndeshje në këtë mënyrë. Pjesa e parë ishte jashtëzakonisht e mirë, kishim raste në çdo moment, por ky është futbolli. U demoralizuam pas autogolit dhe më pas pësuam golin e dytë, por është përgjegjësi e jona, pasi ekipi ishte i vendosur gabim. Duhet të jemi më të qetë përpara portës, ka raste kur duhet të jemi më shumë altruistë. Krijojmë shumë, por pjesa e finalizimit është edhe anë psikologjike. Nëse do të kishim më shumë pikë, ana psikologjike do të ishte më e mirë”, ishte deklarata e trajnerit Ilir Daja në Shkodër pas humbjes me Kukësin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat