Josa: Ndeshja më e vështirë, lodhja ndikoi

Futboll

Josa: Ndeshja më e vështirë, lodhja ndikoi

Më: 22 dhjetor 2021 Në ora: 16:02
Josa: Ndeshja më e vështirë, lodhja ndikoi

Laçi fitoi 2-0 ndaj Kastriotit, duke siguruar suksesin e pestë radhazi në Abissnet Superiore. Trajneri i bardhezinjve, Mirel Josa foli në “Gol pas Goli” në Supersport për triumfin e sotëm dhe merkaton e klubit kurbinas.

“Problemi është që skuadra ishte me këmbë në tokë, nuk mendoi se e kishte fituar ndeshjen. Ishte një nga ndeshjet më të vështira të kësaj periudhe 5-javore. Fitorja ishte detyrim, pavarësisht pozitave të Kastriotit, që luajti futboll dhe u shfaq si i barabartë në Korçë.

Ndikoi pak lodhja te lojtarët e mi. Goli i parë na vuri disi në gjumë, por Kastrioti ishte vendosur mirë dhe duhet të bënim më mirë për të thyer mbrojtjen e tyre, sidomos në pjesën e parë.

Ata patën dy raste të mira, jam i kënaqur që nuk pësuam. Duhet të merrnim më tepër thellësi me Guindon, në mënyrë që të kishim mbështetje me Zarubica dhe Mazrekajn.

Çerekorëshin e fundit menduam të mos pësonim, edhe pse shënuam golin e dytë me një kundërsulm efikas. Zëvendësimet? Do të bënim zëvendësime për të freskuar dy krahët, mund të bënim të tjera, por na qetësoi goli i dytë.

Merkato? Nuk mund të them që skuadrës nuk i duhen lojtarë, por duhet të jemi edhe shumë të kujdesshëm, siç janë treguar gjithmonë drejtuesit e Laçit, por mund të afrojmë ndonjë lojtar. Presidenti më ka thënë që do të bëjmë 2-3 lëvizje. Lëvizjet do të jenë me pikatore.

Harmon Van Dave? E kam pasur një nga lojtarët që më ka pëlqyer, edhe para se të vija te Laçi. Nga momenti që skuadra ka këtë vendosje dhe Guindo ka qenë në gjendje të mirë, Van Dave nuk ka pasur hapësira, por ka edhe një dëmtim.

Harmon nuk ka luajtur sepse ka qenë rezerva e Guindos. Është future në disa momente, por e kemi spostuar njërin apo tjetrin në krah. Ai vazhdon të jetë në skuadër, të shohim si do shkojë, nuk mbajmë njeri me zor në skuadër”, përfundoi trajneri i Laçit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat