Golat e Brojës nuk janë asnjëherë banalë

Futboll

Golat e Brojës nuk janë asnjëherë banalë

Më: 4 janar 2022 Në ora: 18:49
Golat e Brojës nuk janë asnjëherë banalë

Pas një eksperience një vjeçare te Vitesse në kampionatin holandez, ku arriti të shënojë 10 gola, Armando Broja u rikthye në verë te Chelsea, aty ku për disa javë u stërvit në krah të kampionëve të Europës dhe i mjaftuan vetëm pak seanca për të bindur londinezët t’i rinovojnë kontratën deri më 2026-ën, shkruan Supersporti.

Megjithatë starti i sezonit do ta gjente sulmuesin e talentuar kuqezi me fanellën e Southamptonit, ku u huazua për një sezon, në mënyrë që të fitojë eksperiencë dhe të ambientohet më mirë në Premier League.

E në pritje për të fituar besimin e trajnerit Ralph Hasenhuttl, 20-vjeçari ia doli të shënojë golin e parë me kombëtaren shqiptare pikërisht më 5 shtator ndaj Hungarisë në “Elbasan Arena’, duke u dhënë kuqezinjve fitoren e parë në histori përballë maxharëve.

Tri ditë më vonë vjen një tjetër paraqitje konfirmuese për Brojën, që aktivizohet në pjesën e dytë ndaj San Marinos, por 45 minuta i mjaftojnë për të shënuar një tjetër gol, goditur një traversë dhe dhënë dy asiste për shokët e ekipit.

Golat me fanellën kuqezi kishin bërë efektin e tyre dhe sulmuesi nisi të marrë minuta edhe te Southampton, ndërsa në fillim të tetorit, “shpiku” një tjetër mrekulli ndaj Hungarisë, këtë herë në “Puscas Arena”, duke i dhënë tre pikët Shqipërisë në transfertë dhe duke zgjuar ëndrrën për një vend në Katar 2022.

Pikërisht ky gol do t’i hapte udhë aktivizimit të tij për herë të parë si titullar në Premier League, teksa Hasenhuttl i besoi majën e sulmit dhe bomberi shqiptar nuk zhgënjeu, pasi më 16 tetor gjeti golin e parë në elitën e futbollit anglez, duke u dhënë “shenjtorëve” tre pikët ndaj Leeds United.

Vetëm një javë më vonë dhe Broja aktivizohet sërish nga minuta e parë, duke gjetur sërish golin, këtë herë ndaj Burnleyt, ku luajti për 78 minuta, por këtë herë Southamptoni i tij nuk shkoi dot përtej barazimit 2-2.

Më pas erdhi një dëmtim, që e mbajti për dy javë larg fushave dhe për më tepër, humbi edhe vendin e titullarit, por për pak ndeshje, pasi Broja u rikthye shpejt titullar dhe arriti të shënojë dy gola të tjerë në dhjetor, një në barazimin ndaj Brightonit dhe një tjetër në transfertën ndaj Crystal Palace.

Ndaj West Hamit erdhi një penallti e fituar, ndërsa dy ditë më vonë, një aksion perfekt ndaj Tottenham, që për fat të keq nuk u konkretizua me gol. Të gjitha këto konfirmuan sulmuesin si një titullar të padiskutueshëm te “shenjtorët”, pasi tashmë trajneri dhe të gjithë shokët e tij të skuadrës e kanë pranuar rritjen e jashtëzakonshme të 20-vjeçarit dhe nuk i kursejnë elozhet ndaj tij.

I vetmi që nuk duket i bindur ende për aftësitë e Brojës, është trajneri i Shqipërisë, Edi Reja, që ka shfaqur pakënaqësi për sjelljen e bomberit kuqezi, megjithatë misioni 2022 për sulmuesin, është padyshim të fitojë një vend titullari edhe në kombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat