Ronaldo mori vendime të gabuara kur iu bashkua Juves dhe Unitedit?

Futboll

Ronaldo mori vendime të gabuara kur iu bashkua Juves dhe Unitedit?

Më: 11 janar 2022 Në ora: 16:57
Cristiano Ronaldos

Periudha e dytë e Cristiano Ronaldos te Manchester Unitedi po shndërrohet në një makth dhe ndoshta vendimi i tij për t’u larguar nga Real Madridi në vitin 2018 ishte i gabuar.

Superylli portugez shënoi 101 gola në 134 paraqitje gjatë tri sezoneve me Juventusin, megjithatë qëndrimi i tij në Torino nuk është konsideruar i suksesshëm sa pritej.

Bianconerët nuk e kaluan asnjëherë çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, ndërsa në dy sezonet e tij të fundit, Zonja e Vjetër u eliminua në 1/8 e finales nga klube, si Lyon e Porto.

Edhe pse statistikat e tij individuale vazhduan të jenë të jashtëzakonshme, rezultatet e Juves nuk u përmirësuan me CR7, ndërsa gjiganti i Serie A dështoi ta fitonte titullin e dhjetë radhazi në edicionin e tij të fundit në Torino.

Në një deklaratë të mëhershme, Gianluigi Buffon kishte shpjeguar pse ndodhi kjo: “Mendoj se Juve e humbi ADN-në e të qenit skuadër. Në vitin 2017 arritëm në finalen e Ligës së Kampionëve, sepse ishim skuadër me shumë përvojë, por mbi të gjitha ishim një njësi e vetme dhe ishte një garë shumë e fortë për vendet në grup. Këtë e humbëm me Ronaldon”.

36-vjeçari u largua nga bardhezinjtë në gusht duke u kthyer te Manchester Unitedi, por edhe Djajtë e Kuq janë duke vuajtur këtë sezon dhe madje mund të dështojnë të kualifikohen në Ligën e Kampionëve.

Portugezi i ka shënuar 14 gola në 22 paraqitje me klubin anglez, i cili në nëntor e shkarkoi Ole Gunnar Solskjaer dhe më pas e angazhoi Ralf Rangnick.

Në më pak se katër vite, CR7 ka punuar me pesë trajnerë të ndryshëm: Massimiliano Allegri, Maurizio Sarri dhe Andrea Pirlo – te Juventusi; Solskjaer dhe Rangnick – te Manchester Unitedi (duke mos e përmendur edhe Michael Carrickun që ishte trajner i përkohshëm).

Mungesa e stabilitetit nuk i ka ndihmuar Ronaldos, i cili vazhdoi t’u ndihmonte skuadrave të tij duke shënuar gola të shumtë.

Megjithatë, fituesi i pesëfishtë i Ligës së Kampionëve dhe golashënuesi më i mirë në histori të kësaj gare ka dështuar me klubet e tij të fundit nuk ka qenë në të njëjtin nivel sikurse top-skuadrat evropiane.

Në anën tjetër, mediat kanë raportuar se ai është ngopur te Unitedi dhe tashmë i ka kërkuar agjentit Jorge Mendes që t’i gjejë klub të ri, ndërsa Sport.es e ka përmendur Barcelonën si destinacion potencial.

Është vështirë të paramendohet Ronaldo me fanellën e katalunasve, mirëpo Blaugranët janë duke kaluar po ashtu një periudhë të vështirë dhe kalimi i tij atje parashikohet të shënojë një tjetër rënie në karrierën mbresëlënëse të superyllit botëror të futbollit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat