Thirrja e kapitenit

Futboll

Thirrja e kapitenit

Më: 12 janar 2022 Në ora: 12:23
Thirrja e kapitenit

Samir Handanoviç do të ketë shansin për të ngritur në qiell trofeun e Superkupës, nëse skuadra që ai udhëheq do të arrijë të mposhtë sot Juventusin. Kapiteni zikaltër pas disa vitesh në errësirë po shijon frytet e besnikërisë dhe punës së tij.

“Shpërblim për mua? Unë mendoj se një ndeshje e tillë vlen për të gjithë skuadrën dhe jo vetëm për mua sepse trofetë janë të rëndësishëm për të gjithë dhe gjithë grupi ka sakrifikuar kur është dashur”, u shpreh lideri i zikaltërve që më pas u ndal tek analiza e kundërshtarit:

“Ndeshja me Juven është delikate dhe ndihet njësoj nga të dyja palët. Ne do të bëjmë maksimumin tonë për të fituar dhe do të luajmë me mentalitetin që kemi shfaqur këta dy muajt e fundit.

Ata janë të fortë dhe vijnë gjithmonë në Milano me qasjen e duhur dhe e dimë që do të jetë e vështirë të përballemi me ta”. 37-vjeçari ama nuk mundi t’u shmangej pyetjeve mbi të ardhmen e tij që duket gjithmonë e më larg Interit.

“Nuk më jep aspak bezdi afrimi i Onanës. Kam besim në aftësitë e mia dhe jam nga ata që mendoj se konkurrenca të bën mirë, ndaj jetoj ditë pas dite, nuk bëj programe për 6 muaj”, u shpreh Handa që u kap edhe me komentet e marra pas golit të pësuar ndaj Lacios:

“Është e vërtetë që me Lacion pësuam një gol të çuditshëm, por ka një gjë që më bezdis. Kur nuk pësojmë është meritë e mbrojtësve, ndërsa sapo na shënojnë, është faji i Handanoviçit”. Edhe pse krah trajnerit Inzagi, slloveni nuk harroi të vlerësonte punën e bërë nga Konte për të cilin tha:

“Ne kënaqemi me trajnerin Inzagi, por dua t’u kujtoj të gjithëve që pa fitore nuk ka kënaqësi. Puna e dy viteve që lamë pas na ka sjellë në këtë pikë ku jemi”.

Në fund kapiteni pati një mesazh për grupin dhe për të gjithë zikaltrit:

“Është një stimul kur thonë që Skudeton mund ta humbasim vetëm ne, por kampionati është akoma i gjatë dhe duhet të kemi kujdes. Kundërshtarët na frikësohen, kishte humbur disi pesha e emrit, por tani ndihet kudo që shkojmë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat