Benzema fiton çmimin e madh në Francë

Futboll

Benzema fiton çmimin e madh në Francë

Më: 14 janar 2022 Në ora: 11:52
Benzema fiton çmimin e madh në Francë

Karim Benzema ka fituar çmimin “Lojtari i Vitit” nga “France Football”, duke mposhtur rivalitetin e bashkëlojtarit te “Les Bleus”, Kylian Mbappe. Kjo ndodhi edhe pse sulmuesi i PSG-së shënoi më shumë gola në vitin 2021 (kohë për të cilën jepet çmimi) sesa ylli i Real Madridit.

34-vjeçari pati një vit spektakolar si me klubin, ashtu edhe me kombëtaren. Ai shënoi 38 gola për “Los Blancos” nga janari deri në dhjetor, përpara se të rikthehej në kombëtaren e Francës, ku shkëlqeu në “Euro 2020” dhe fitoi Ligën e Kombeve.

Edhe pse Mbappe u bë lojtari i 20-të që shënon 50 ose më shumë gola në një vit kalendarik që nga fillimi i shekullit të 21-të, këtë vit, ishte Benzema ai që e fitoi këtë çmim. Sulmuesi i PSG-së, Mbappe, i cili ka qenë i lidhur fort me bashkimin me Benzema te Real Madridi në vitin 2022, gjeti kohë për ta uruar bashkatdhetarin e tij në Instagram për fitimin e çmimit.

Fituesit e tjerë në vitet e fundit përfshijnë N’Golo Kante të Chelsea, sulmuesin Antoine Griezmann dhe ish-mesfushorin e PSG-së, Blaise Matuidi. Vetëm një lojtar, Thierry Henry e fitoi çmimin më shumë se Benzema, plot pesë herë midis viteve 2000 dhe 2006, kur ishte tek Arsenali.

Benzema e përfundoi sezonin 2020-2021 me 30 gola në të gjitha garat për Realin, por gjigantët spanjollë e përfunduan sezonin pa një trofe. Mbappe, ndërkohë, shënoi 43 gola për PSG-në në vitin 2021, teksa fitoi Kupën e Francës këtë sezon, plus 8 gola të tjerë me Francën, një më pak se Benzema në nivel ndërkombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat