FSHF Sunday League kthehet

Futboll

FSHF Sunday League kthehet

Më: 15 janar 2022 Në ora: 11:38
FSHF Sunday League kthehet

Kampionati i futbollit amator 9×9 “FSHF Sunday League” rikthehet pas pauzës dimërore me ndeshjet e javës së 10-të që shënojnë edhe nisjen e fazës së dytë.

Skuadrat pjesëmarrëse duket se janë gati për merkatos së “ndezur” që ka parë shumë lëvizje lojtarësh mes skuadrave, por edhe emra të njohur që dikur kanë milituar në futbollin profesionist vazhdojnë t’i bashkohen këtij kompeticioni që po bëhet gjithnjë e më popullor mes të rinjve.

Dy të fundit që janë bërë pjesë e këtij kampionati janë ish-futbollistët e Kombëtares, Burim Kukeli dhe Kristi Vangjeli si edhe ish-lojtari i kombëtares së Libanit, Wisam El Zaredi. Duhet theksuar se niveli i futbollit që prodhon ky kampionat i futbollit amator është vërtetë për t’u admiruar dhe tërheq tifozë të shumtë gjatë ndeshjeve që zhvillohen në fushën e “Skendër Halilit” dhe kompleksin “Football Republic”.

Ky është edicioni i tretë i kampionatit amator “FSHF Sunday League”, që po i afrohet fazës më të nxehtë të play-off-in të programuar në muajin mars.

Kompeticioni i futbollit amator, përveç ish-futbollistëve profesionist, ka tërhequr edhe pjesëmarrës të shumtë që nuk kanë një të shkuar në futbollin profesionist, por që kanë spikatur me talentin e tyre dhe paraqitjet në fushë. Sakaq, më 24 janar do të nisin edhe ndeshjet e fazës çerekfinale të “FSHF Cup”, kompeticionit tjetër të futbollit amator 9×9 ku marrin pjesë të njëjta skuadra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat