Alternativat e Dortmundit

Futboll

Alternativat e Dortmundit

Më: 28 janar 2022 Në ora: 13:35
Alternativat e Dortmundit

Borussia Dortmund është padyshim skuadra që ka punuar më mirë me futbollistët e talentuar në të paktën 10 vitet e fundit, duke ditur të promovojë emra që janë ndër më të spikaturit në këtë sport dhe më i fundit është padyshim Erling Haaland.

Sulmuesi norvegjez që spikati me fanellën e Salzburg, shënon me një mesatare të frikshme edhe me fanellën verdhezi, të cilën po e mban veshur edhe për pak muaj, pasi në verë është i sigurt largimi i tij drejt ndonjërit prej shumë klubeve të mëdha europiane që e kërkojnë.

Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit e Borussias së Dortmundit po kërkojnë për të gjetur talentin e radhës, që do të zëvendësojë Erling Haaland dhe në të njëjtën kohë, do të premtojë për të sjellë të tjera para në arkat e klubit në harkun e 2-3 sezoneve.

Së fundi mediat gjermane raportojnë se në “radarët” e verdhezinjve kanë përfunduar dyshja e Sassuolos, sulmuesi i talentuar Gianluca Scamacca dhe mesfushori Davide Fratessi, të cilët po bëjnë mjaft mirë në Serinë A dhe kanë fituar edhe besimin e Roberto Mancinit në përfaqësuese.

Për sulmuesin Scamacca, drejtuesit e Dortmund janë treguar të gatshëm të paguajnë 40 milionë euro, shifër që mund të shkojë deri në 70 milionë euro, nëse në paketë futet edhe mesfushori Scamacca.

Megjithatë është fakt që pavarësisht dëshirës së Sassuolos për t’i shitur te klubi gjerman, vetë futbollistët preferojnë të mbeten në Serinë A dhe janë në pritje të ofertave nga skuadra italiane.

Alternativa tjetër për të zëvendësuar Haaland është një tjetër sulmues i Salzburg, gjermani Karim Adeyemi, i cili po bën mjaft mirë në klubin austriak dhe ka tërhequr vëmendjen e shumë skuadrave në Europë.

Kartoni i Adeyemit vlerësohet rreth 35-40 milionë euro, shifër kjo që mund të përballohet lehtësisht nga Borussia Dortmund, por më parë duhet mposhtur konkurrenca e Bayern Munich, që është gjithmonë i vëmendshëm ndaj lojtarëve gjermanë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat