Rregullat absurde nuk mund të kufizojnë pasionin

Futboll

Rregullat absurde nuk mund të kufizojnë pasionin

Më: 29 janar 2022 Në ora: 23:18
Rregullat absurde nuk mund të kufizojnë pasionin

Ata janë lojtari i 12. Ata mbeten gjithmonë të rëndësishëm, të pazëvendësueshëm, të pakonkurrueshëm. Ata janë identiteti, solidariteti, shpirti i skuadrës dhe ritmi i çdo ndeshjeje.

Nëse dikush kishte dyshim për rolin e tyre mjafton të sjellim në vëmendje ndeshjet, javët, muajt e futbollit të luajtur me dyer të mbyllura për shkak të pandemisë Covid-19. Me besimin se më e keqja kaloi dhe lejimin e prezencës së tifozëve, qoftë edhe në masën 30% të kapacitetit të stadiumeve, një dritë shprese është ndezur për t’i dhënë kuptim, emocion dhe spektakël ndeshjeve të kampionatit, beteja e fundit pa asnjë logjike dhe standard e forcave të policisë, ka risjelle dyshimet për të parë futbollin siç të gjithë e njohim.

Grupime të njohura tifozësh, të skuadrave të kryeqytetit i janë kundërvënë urdhrit të policisë së shtetit për detyrimin e paraqitjes së kartave të identitetit për çdonjërin që do të jetë në stadium. Urdhri në kufijtë e absurdit, ka efekt zero për luftën ndaj dhunës në stadiume apo evidentimin e personave problematikë, sepse biletat elektronike nuk shiten me emra të personalizuar dhe çdonjëri që paraqitet në hyrje të stadiumit dhe tregon kartën e identitetit, nuk regjistrohet askund, atëherë cili është qëllimi i këtij aksioni donkishotesk.

Në këtë realitet, një thirrje shkon për të gjithë tifozët për ta tejkaluar këtë absurditet, për të mos e bojkotuar skuadrën e tyre të zemrës, por të ndjekin pasionin, të shkojnë në stadium, qoftë edhe duke e treguar kartën e identitetit, që nuk regjistrohet askund dhe të zënë vendet dhe tribunat e tyre të preferuara.

E gjitha kjo, sepse ju jeni tifozë, nëse nuk hiqni dorë nga pasioni, nga dashuria për skuadrën e zemrës, nga tribuna, nga shalli, flamuri, ngjyrat dhe koret e përbashkëta. Dhe një emocion të tillë nuk mund t’ua fshijë si me magji, një vendim policor absurd, i pavlefshëm dhe pa asnjë dobi.

Pas probleme të shkaktuara në ndeshjet e fundit Tirana-Vllaznia, Dinamo-Tirana dhe Dinamo-Partizani, prova e radhës për ta injoruar absurditetin policor është që në duelin e kryesuesve të kampionatit Tirana-Kukësi, të dyja tifozeritë të nxitojnë këtë të diel, në orarin ideal 16:45, drejt “Air Albanias”, për të përjetuar emocionet speciale dhe për të dhuruar spektakël në tribuna, siç vetëm ata dinë ta bëjnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat