Ramadani: Kukësi i fortë

Futboll

Ramadani: Kukësi i fortë

Më: 6 shkurt 2022 Në ora: 16:00
Ramadani: Kukësi i fortë

Humbja me Kukësin sigurisht që i ka zhgënjyer shumë rrogozhinasit, të cilët vetëm një mrekulli mund t’i largojë nga zona e rënies nga kategoria. Zekirijia Ramadani, trajner i Egnatias, në “Gol pas Goli” u shpreh:

“Mendoj që ishte meritë e Kukësit që nuk morëm pikë. Nuk dua të them se ishim keq, por cilësia e Kukësit dihet që është me e lartë. Me dy goditje në portë shënuan dy gola. Ne patëm disa gjysmëraste, po të kishim shënuar do ta kishim futur në presion Kukësin. Sot kemi humbur ndaj një rivali që ka objektiva të tjerë.”

Pësimi i golave: “Duhet të përkushtohemi më tepër që të mos pranojmë gol. Jemi ndëshkuar në çdo takim dhe kjo tregon që nuk jemi në rregull. Golat i kemi pësuar për gabimet tona. Duhet të përmirësohemi, por po shfaqim probleme të ndryshme nga ndeshja në ndeshje. Edhe fushën tonë sikur e kemi ters, na është futur një presion psikologjik.”

Reagimi: “Brenda kësaj jave kemi dy ndeshje me rivalë me objektiva të ndryshëm. Tani kemi organikë më të pasur, mund të bëjmë rotacion. Do të vlerësojmë në maksimum ndeshjen e Kupës me Kukësin, duke u bazuar edhe në rezultatin e sfidës së parë.”

Lufta për mbijetesë: “E ndiejmë afrimin e Kastriotit, jo vetëm ne. Është më mirë kur luftojnë më shumë skuadra për mbijetesë, se po të jenë vetëm dy, mund të bëhen gjëra të tjera. Duhet të jemi të kujdesshëm, të mos lëshojmë pikë me rivalët direktë. Do të jenë vendimtare në të ardhmen".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat