Firmosi me polemika tek Dortmundi

Futboll

Firmosi me polemika tek Dortmundi

Më: 9 shkurt 2022 Në ora: 17:25
Firmosi me polemika tek Dortmundi

Largimi i Zyles nga Bajerni te Borusia ka shkaktuar jo pak polemika në klubin bavarez. 26- vjeçari ka folur pas zyrtarizimit të transferimit të tij te rivalët e Dortmundit. “Në ditët dhe javët e fundit është folur shumë për të ardhmen time. Janë bërë shumë spekulime për mua.

Vendimi për të luajtur me Dortmundin nuk është marrë as dje dhe as ditët e fundit, por para disa javësh”, tha mbrojtësi i kombëtares gjermane që justifikon zgjedhjen e tij duke thënë se:

“Që në takimin e parë vura re interesimin e jashtëzakonshëm të drejtuesve verdhezi për mua. Vacke, Rose, Cork dhe Kehl më bënë të ndihem shumë i rëndësishëm në projektin e tyre. Kjo ishte gjithçka për mua”.

Gjithsesi, Zyle nuk harroi të falënderonte klubin e Bajernit për kohën që ka kaluar në Mynih.

“Kam kaluar një kohë shumë të mirë këtu në Mynih duke fituar gjithçka që ishte për t’u fituar. Shpresoj që të fitoj dhe trofe të tjerë përpara se të iki. Jam me fat që luaj në një skuadër me lojtarë të mëdhenj dhe një trajner të madh. Bajerni do të mbetet gjithmonë shtëpia ime e dytë”.

Fakti që Zyle ka refzuar oferta të tjera jashtë Gjermanisë tregon se sa i lidhur është ai me vendlindjen e tij. Menaxheri i lojtarit, Volker Struth, tha se ai u impresionua nga projekti i BVB-së.

“Niklas kishte të tjera mundësi, kishte oferta për të fituar më shumë para. Por, ai vendosi me zemër. Ndjeu se Borusia kishte më shumë nevojë për të. Jam shumë i lumtur për mënyrën se si ka vendosur”, tha agjenti i lojtarit. 26-vjeçari do të luajë për verdhezinjtë duke nisur nga sezoni i ardhshëm, ai ka firmosur një kontratë 4-vjeçare me Borusian duke shpresuar të hapë një cikël të ri në Dortmund.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat