Tuchel e pranon, Liverpooli favorit për ta fituar Carabao Cup

Futboll

Tuchel e pranon, Liverpooli favorit për ta fituar Carabao Cup

Më: 25 shkurt 2022 Në ora: 19:01
Thomas Tuchel

Trajneri i Chelseat Thomas Tuchel ka sugjeruar që Liverpooli është paksa më favorit në finalen e së dielës të Carabao Cup, por ka thënë që do të jetë kënaqësi që do të përballet me bashkëkombësin e tij Jurgen Klopp.

Chelsea do të përballet me Liverpoolin në një finale të madhe për herë të tretë në historinë e tyre, duke përjashtuar këtu Community Shield dhe finalen e Supër Kupës evropiane, ku në dy raste triumfuese ka qenë Chelsea, respektivisht 3:2 në finalen e vitit 2005 në Kupën e Ligës, dhe 2:1 në finalen e vitit 2012 të FA Cup.

Por me formën momentale të Liverpoolit, ku ka nëntë fitore radhazi në të gjitha garat, dhe në garë për katër trofe këtë sezon, Tuchel beson që skuadra e Klopp duhet të konsiderohet favorite për ta ngritur trofeun të dielën.

“Unë mendoj që 50 ose 55% ata janë favoritë, për shkak të formës së tyre momentale dhe ë rezultateve të tyre të fundit. Është një sfidë e madhe, një mundësi e madhe dhe ne ndihemi tejet konkurrues”, tha Tuchel.

“Të luash kundër skuadrave nën drejtimin e Klopp nuk është vetëm kënaqësi, sepse ato gjithmonë kanë qenë të vështira. Por ne kemi gjëra për të bërë, ne kemi eksperienca me ndeshje kundër Liverpoolit, mendoj që tri të fundit jemi ndarë me barazim”, shtoi trajneri gjerman.

Të dielën me fillim nga ora 17:30 do të zhvillohet finalja e madhe e Carabao Cup në stadiumin “Wembley”, ku do të përballen skuadra e Chelseat dhe ajo e Liverpoolit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat