Lucescu tregon me detaje makthin 17-orësh për t’u larguar nga Ukraina

Futboll

Lucescu tregon me detaje makthin 17-orësh për t’u larguar nga Ukraina

Më: 1 mars 2022 Në ora: 18:13
Lucescu tregon me detaje makthin 17-orësh për t’u larguar nga Ukraina

Ndonëse fillimisht kishte deklaruar se nuk kishte ndërmend të largohej nga vendi, Mircea Lucescu më në fund vendosi të tërhiqej nga Ukraina për të qenë i sigurt. Trajneri i njohur rumun ka bërë deklarata emocionale për situatën në Ukrainë. 76-vjeçari iu tha gazetarëve se ishte familja e tij që këmbënguli të kthehej në Rumani.

Në të njëjtën kohë, “Il Luce” kishte vetëm fjalë lavdërimi për popullin e Ukrainës dhe tha se mezi priste të kthehej në Kiev për të vazhduar punën e tij: “Gruaja ime dhe familjarët i panë fotot në TV dhe më kërkuan të kthehesha në Rumani për disa ditë. Kështu bëra, pasi fola me presidentin dhe lojtarët. Unë jam në kontakt me ta, më duhej të gjeja një mënyrë për t’i marrë nga Kievi. Sidomos lojtarët me familje. Disa prej tyre kanë shumë fëmijë”.

Më tej, në rrëfimin e gjatë për “Gazzetta dello Sport”, nga Bukureshti i tij, tregoi hap pas hapi tmerrin që ka pllakosur në shtetin ukrainas.

Si nisi lufta në Kiev?
Në një moment u zgjova gjatë natës dhe mendimi i parë që më erdhi ishte vera. A i dini ato stuhitë verore plot rrufe dhe bubullima, shumë të forta? Por jo, për fat të keq jo, nuk ishin ato. Kuptova se lufta kishte filluar dhe se kishte arritur në portat e qytetit.

A e priste Kievi këtë?
Jo, askush nuk e priste. Mendohej se do të kishte më së shumti disa përleshje në Donbass, askush nuk besonte në një pushtim si ai që kemi parë.

Çfarë ju thanë autoritetet?
Që padyshim që nuk mund të luhej më futboll, por na u desh të prisnim. Dhe prita një ditë. Ndërkohë, ambasada ime më kërkonte të largohesha nga Ukraina. Kështu që fola me presidentin tim, sigurova lojtarët, u siguruam që edhe familjet e tyre të ishin të sigurta. Më pas unë dhe stafi im u nisëm drejt Rumanisë.

Na tregoni peripecitë e udhëtimit…

17 orë të vështira, mes doganave dhe postblloqeve. Për të dalë nga kryeqyteti na u deshën shtatë orë, rrugët ishin të bllokuara nga makinat e atyre që iknin. Jashtë Kievit morëm rrugë dytësore, ndërsa takuam autokolonat e ushtarëve që shkonin drejt jugut, sepse ndërkohë kishin filluar bombardimet nga Deti i Zi. Kështu arritëm në kufirin me Moldavinë, ku kishte radhë pafund. Dhe aty pashë skena të shëmtuara, të burrave që shoqëronin gratë dhe fëmijët deri në kufi, duke u siguruar që ato të kalonin dhe pastaj të ktheheshin. Aty e kuptova vërtet dramën e luftës.

Çfarë bëtë sapo mbërritët në Bukuresht?
Kam folur me presidentin e Federatës Rumune të Futbollit, Razvan Burleanu se si mund ta lehtësojmë largimin e lojtarëve të tjerë të huaj, jo vetëm të Dinamos. Sidomos amerikano-jugorët, të cilët i sollëm këtu dhe pastaj i përcollëm drejt vendeve të tyre. E ndoqa rrugëtimin e tyre hap pas hapi, me Junior Moraes, sulmuesin e Shakhtarit, i cili drejtoi grupin. E falënderoj për forcën që ka treguar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat