Cungu: I kënaqur me paraqitjen e lojtarëve

Futboll

Cungu: I kënaqur me paraqitjen e lojtarëve

Më: 16 mars 2022 Në ora: 19:44
Cungu: I kënaqur me paraqitjen e lojtarëve

Kombëtarja shqiptare U-19, e drejtuar nga trajneri Armando Cungu ka përmbyllur këtë të mërkurë grumbullimin tre ditor me një miqësore përballë Dinamos U-19.

Në këtë sfidë që u zhvillua në kompleksin Internacional në Pezë Helmës, tekniku kuqezi pati mundësinë të testonte të gjithë lojtarët e grumbulluar këto tre ditë. Formacioni titullar që nisi ndeshjen ishte ky: Dema, Halili, Mani, Skënderaj, Cungu, Kote, Deda, Maliqi, Çela, Cereni, Blakqori. Në pjesën e dytë të takimit u aktivizuan edhe pjesa tjetër e lojtarëve të ftuar në këtë grumbullim. Takimi në fjalë përfundoi me rezultatin e bardhë 0-0.

Në fund të ndeshjes, trajneri Cungu dha edhe një prononcim për fshf.org, lidhur me këtë grumbullim tre ditor. Drejtuesi i ekipit U-19 u shpreh i kënaqur nga paraqitja e kuqezinjve të vegjël përgjatë këtyre tre ditëve. Pjesa më e madhe e lojtarëve të grumbulluar vijnë nga kampionati shqiptar, teksa në dy miqësoret e ardhshme ndaj Kosovës, që do të zhvillohen në vendin tonë, më 26 dhe 29 mars, tekniku Cungu synon të shohë nga afër edhe lojtarët shqiptarë që aktivizohen jashtë vendit.

Paraqitja e futbollistëve në grumbullim – Gjithmonë këto grumbullime shërbejnë për mirë, për të përmirësuar gjendjen e sportistëve dhe mendimin për lojën, atë çka ne kërkojmë.

Edhe ky grumbullim në këtë kontekst ishte. Për mendimin tim ishte pozitiv, me dy ditë stërvitje që kishim në dispozicion, besoj që edhe kjo ndeshje e sotme i shërbeu shumë djemve dhe në përgjithësi jam i kënaqur, pavarësisht se jemi në fazë seleksionimesh, kqyrjesh të lojtarëve. Më shumë jemi fokusuar te kampionati shqiptar. Pjesa më e madhe, 95% janë e këtij kampionati, pasi nuk janë edhe data të UEFA-s dhe FIFA-s.

Ekipet më serioze dhe prestigjioze ku aderojnë lojtarët tanë jashtë Shqipërisë, nuk u japin leje për grumbullime të tilla jashtë datave të kompeticioneve zyrtare. Për këtë arsye, ne më shumë u fokusuam te kampionati shqiptar, por edhe te ndonjë lojtar që ka pasur mundësinë të vijë e t’i vëzhgojmë.

A ka elementë të rinj kjo grupmoshë? – Unë mendoj se ka elementë, nuk i kanë munguar kurrë elemetët Shqipërisë. Edhe te datëlindjet e vjetshme, 2003, kishte elementë, të cilët edhe në Europian u paraqitën jashtëzakonisht mirë dhe pikërisht edhe nga kampionati shqiptar. Të njëjtën gjë mendoj edhe për datëlindjen 2004, por siç thashë edhe më sipër, duhet të shikojmë lojtarë që aderojnë jashtë Shqipërisë, sidomos këto dy ndeshje zyrtare me Kosovën, do të fokusohemi te këta lojtarë dhe në fund të nxjerrim njëzet lojtarët që duhet të na përfaqësojnë në Europian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat