Pas ndeshjes me Galatasaray, Xavi flet për Pedrin dhe gjasat për triumf në Ligën e Evropës

Futboll

Pas ndeshjes me Galatasaray, Xavi flet për Pedrin dhe gjasat për triumf në Ligën e Evropës

Më: 17 mars 2022 Në ora: 21:59
Xavi Hernandez

Gjigandi katalunas Barcelona ka shënuar sot fitore me rezultat të ngushtë 2:1 si mysafire e Galatasarayt, takim ky që ishte i vlefshëm për ndeshjen e kthimit të fazës së eliminatoreve të Ligës së Evropës.

Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave kishte përfunduar me rezultat të barabartë 0:0, kurse me fitoren e sotme, Barcelona me rezultat të përgjithshëm 2:1 eliminon Galatasarayn nga Liga e Evropës, dhe siguron kualifikimin tutje për në çerekfinale.

Golat te Barcelona i shënuan sulmuesi Pierre-Emerick Aubameyang dhe mesfushori Pedri, ku ky i fundit realizoi një gol tejet të bukur.

Pas ndeshjes, trajneri i Barcelonës Xavi Hernandez foli rreth paraqitjes së sotme, ku tregoi edhe për gjasat e triumfit të Barçës në këtë garë.

“Galatasaray u mbrojt shumë mirë, dhe kjo fitore ka meritat e saja. Urime lojtarëve sepse ata ishin tejet të vëmendshëm kur të sulmojnë dhe si të sulmojnë dhe ne jemi tejet të lumtur për punën dhe paraqitjen, ne fituam në një terren tejet të vështirë”, tha Xavi.

“Favoritë në Ligën e Evropës? Ne kemi gjasa. Nuk i dimë rivalët tanë dhe nuk e kemi eksperiencën e kësaj gare, por duhet të jemi të emocionuar. Sot është një hap tjetër drejt rritjes së vazhdueshme”, shtoi Xavi.

Po ashtu, trajneri i Barcelonës shfrytëzoi rastin që të flas edhe për mesfushorin e tij Pedri, të cilin e lavdëroi tej mase.

“Goli i Pedrit ishte i mrekullueshëm. Ai është i aftë për ta bërë këtë gjë dhe shumë gjëra të tjera. Ai është vetëm 19 vjeç. Jam i nderuar që kam Pedrin nën urdhrat e mija. Ai është tejet i rëndësishëm, është një lojtar i shkëlqyer, dhe i aftë për të bërë diferencën, për të prodhuar paraqitje fantastike. Pauza gjatë golit, në pjesën e kundërshtarit, ai është ndryshe”, tha Xavi.

Me fitoren e sotme, Barcelona vazhdon në çerekfinale të Ligës së Evropës, ndërsa ndeshje e radhës për gjigandin katalunas do të jetë këtë të diele kundër rivalit të përbetuar të La Ligas, Real Madridit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat