Nëse humbja në “Klasike” ishte më pak e dhimbshmja për Realin sa i përket klasifikimit në La Liga këtë sezon dhe avantazhit prej Sevijes dhe Barcelonës tek i cili madrilenët mund të besojnë ende, ai që paguan pasojat për humbjen të paktën nga pikëpamja mediatike është Karlo Ançeloti.
Pozicioni i trajnerit italian për momentin është i fortë prej rendimentit në kampionat, por edhe në Champions ku është në çerekfinale pas përmbysjes ndaj PSG-së. Por tifozët e parë kanë shprehur pakënaqësi ndaj teknikut, i cili ka përfunduar edhe në shënjestrën e ndonjë ish-lojtari sot në rolin e opinionistit.
Mbështetësit e madrilenëve kanë preferencë të parë për ta zëvendësuar Ksabi Alonson, trajnerin e Real Sociedadit B, madje përpara ikonës së tyre të sulmit, Raul Gonzalez, i cili këtë sezon është në stolin Kastijës, skuadrës së dytë të Realit të Madridit që renditet në mesin e klasifikimit të Segundas.
Guti – Shumë kritik ndaj Ançelotit ishte edhe Guti, kolona e skuadrës nga viti 1994 deri në 2010-ën. Ish-mesfushori, fitues i Ligës së Kampioneve, tha për “Chiringuito TV” se nuk ishte dakord me zgjedhjet e trajnerit ndaj Barcelonës:
“Stoli i Realit kishte lojtarë si Hazard, Isko dhe Joviç dhe ti më thua se nuk mund të zëvendësoja asnjë.
Ndërrimi i parë i Ançelotit ishte Mariano. Nuk arrij ta kuptoj”.
Guti nuk kurseu as Vinicius Zhuniorin:
“Shqetësohet më shumë për arbitrin dhe kundërshtarët sesa të luajë futboll. Kush nuk dëshiron të luajë nuk duhet të jetë te Reali”.