Përballen sërish Salah-Mane

Futboll

Përballen sërish Salah-Mane

Më: 25 mars 2022 Në ora: 11:29
Përballen sërish Salah-Mane

Ethet e botërorit kanë pushtuar çdo kontinent, ndërsa në zonën e Afrikës do të mësohen pesë skuadrat që do ta prezantojnë atë në Katar 2022.

Pesë sfida shumë të forta, me duele interesante, ndërsa gjithçka do të nisë në orën 16:00 me takimin D.R. Congo – Marok, me këta të fundit që nisen si favoritë në letër, por që gjithsesi pritet një sfidë shumë e luftuar në takimin e parë midis tyre.

Në orën 18:00 do të zhvillohen dy takimet e tjera, Kamerun – Algjeri dhe Mali – Tunizi. Kameruni vjen me statusin e skuadrës favorite përballë Algjerisë, kjo për faktin se këta të fundit zhgënyen në Kupën e Afrikës duke u eliminuar në fazën e grupeve, ndërsa Kameruni, i shkoi pranë finales, por u ndal në stacionin e parafundit nga Egjipti. Sa i përket takimit tjetër, Mali është shumë pranë ëndrrës së madhe, për të luajtur për herë të parë në finalet e kompeticionit më të rëndësishëm, kupës së botës, ndërsa në anën tjetër, Tunizia kërkon biletën e dytë radhazi pas Rusi 2018, por në këtë përballë, Mali vjen si favorite, ndonëse i duhet shumë punë për të nxjerrë jashtë një përfaqësuese që në favor ka eksperiencën dhe për më tepër ndeshjen e kthimit do ta luajë në shtëpi.

E gjithë vëmendja do të spostohet në orën 20:30, me dy sfidat e fundit, Gana – Nigeri dhe kryefjala Egjipt – Senegal. Kombëtarja e Ganës kërkon një biletë për t’u rikthyer në kupën e botës pas Brazil 2014, ndërsa Nigeria kërkon të prekë për herë të katërt radhazi fazën finale të kompeticionit, ndërsa vlen të theksohet fakti se Nigeria do të luajë takimin e kthimit në shtëpi, ndaj ganezët do të kenë shumë presion në këtë mbrëmje.

Në Kairo, rikthehet finalja e Kupës së Afrikës, me Egjiptin dhe Senegalin që vendosen përballë në një tjetër finale në harkun e 1 muaji. Vendasit do të kërkojnë të shfrytëzojnë në maksimum faktorin fushë, për të siguruar deri diku një rezultat komod, por përfaqësuesja e Salah, vendoset përballë kampionëve të Afrikës, ku Mane dhe shokët e skuadrës do të kërkojnë ta shfrytëzojnë në maksimum. Ndeshjet e kthimit do të luhen më 29 mars.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat