Një autogol vendos sfidën Shqipëri - Çeki

Futboll

Një autogol vendos sfidën Shqipëri - Çeki

Më: 25 mars 2022 Në ora: 21:55
Një autogol vendos sfidën Shqipëri - Çeki

Shqipëria U21 merr humbjen e tretë radhazi në fushatën eliminatore të Europianit, po ashtu mposhtet për të dytën herë nga Çekia, këtë herë në Elbasan Arena me rezultatin minimal 0:1. Kuqezinjtë në fakt e pësuan prej gabimeve të tyre, pasi sfida u vendos nga një autogol i minutës së 35-të nga Serxhio Kalaj.

Sa i takon kronikës së sfidës, në pjesën e parë ishin miqtë të cilët dhanë shkëndijen e parë me anë të sulmuesit Sejk, megjithatë portieri Simoni ndali goditjen pa shumë problem. Në anën tjetër, Tedi Cara pati mundësi të shkëlqyer në minutën e 17, megjithatë goditja e sulmuesit të Partizanit u ndal nga portieri Kovar. Momenti fatal për të besuarit e trajnerit Alban Bushi mbërriti në minutën e 35, teksa Kalaj u tregua i pavëmendshëm dhe devijoi topin në portën e tij me portierin Simoni i cili nuk pati asnjë shans për të reagur.

Ndërkaq, në fraksionin e dytë, Shqipëria U21 tregoi më shumë dëshirë dhe Ndrecka iu afrua barazimit në minutën e 52, teksa goditja e tij përfundoi vetëm pak centimetra larg kuadratit të çekëve. Shtatë minuta më pas ishte Muçi që tentoi portën nga një kënd i vështirë, por goditja e sulmuesit të Legias nuk pati forcën e duhur dhe u ndal nga portieri Kovar.

Në vazhdim, ishte portieri Simon Simoni i cili u shndërrua në një protagonist për të ruajtur humbjen minimale, pasi kalvari i pritjeve të gardianit të Dinamos nisi në minutën e 71, për të vazhduar në të 82-tën, ndërsa në të 86-tën, 17-vjeçari ndali mrekullisht kundërshtarin.

Pas kësaj, disfate kuqezinjtë renditen të katërt në Grupin G me nëntë pikë pas shtatë ndeshjeve të luajtura, ndërsa Çekia ruan kryesimin me 16 pikë. Kjo humbje vështirëson objektivin e kuqezinjve të Bushit për ta mbyllur grupin në vendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat