Pedri fton Messin

Futboll

Pedri fton Messin

Më: 27 mars 2022 Në ora: 11:42
Pedri fton Messin

Ferran Torres dhe Pedri janë lojtarët e momentit te Barcelona. Të dy e nisën si titullarë miqësoren Spanjë-Shqipëri, që përfundoi 2-1. Ferran Torres zhbllokoi takimin në minutën e 75-të, duke gjetur golin numër 13 në 23 ndeshje të zhvilluara me kombëtaren iberike.

Barcelona pagoi 55 milionë euro te Manchester City në merkaton e janarit për kartonin e 22-vjeçarit, i cili e ka filluar në mënyrë të shkëlqyer aventurën katalanase. Lojtari ofensiv është përfshirë në 12 gola në 15 ndeshjet e luajtura në vitin 2022 me Barcelonën dhe Spanjën në të gjithë kompeticionet, duke regjistruar 7 gola dhe 5 asiste.

Ndërkohë, Pedri i është bashkuar korit që kërkon rikthimin e Leo Messit në “Camp Nou”. Shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” nuk ndihet i lumtur te PSG dhe në Spanjë shpresojnë që argjentinasi të rikthehet tek ekipi i zemrës.

Të njëjtën gjë uron edhe talenti i mesfushës së skuadrës së Xavit. “Kam kaluar momente të bukura me Leon, brenda dhe jashtë fushave. Ai është një person i shkëlqyer, kështu që shpresoj të rikthehet te Barcelona.

Jam zbavitur duke luajtur me të, ishte një gëzim i madh ta kishe shok skuadre. Sa herë kam mundësi ulem dhe shikoj ndeshjet e Leos… Mëson shumë gjëra duke parë futbollistin më të mirë në botë. E kam mik dhe më dhemb kur shoh se nuk po i ecin gjërat mbarë”, deklaroi Pedri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat